Puna pritet të përmbyllet brenda një afati 5 ditor 

DURRES, 16 maj 2013- Ka nisur puna për rehabilitimin e rrethrrotullimit të Shkozetit. Katër makineri të rënda si dhe dhjetëra punonjës nisën punën mbrëmjen e së mërkurës për mbylljen e gropave dhe shtrimin e asfaltit. 

Ky rrethrrotullim, në Durrës ishte makth për drejtuesit e automjeteve. Amortizimi i rrugës, gropat, balta e pluhuri ishin tregues të një realiteti të kundërt me akset në vend. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah” vetëm dy ditë më parë, përcolli shqetësimin e drejtuesve të automjeteve por edhe banorëve të zonës, të cilët çdo ditë përballeshin me një situatë kaotike në qarkullim.

Punimet në rrethrrotullimin e Shkozetit, pjesë e  bypassit të Durrësit me vlerë 12.9 milionë euro, pritet të përmbyllet brenda një afati pesë  ditor. Më pas puna do të përqëndrohet në shtrimin e aksit rrugor që nis nga dalja e mbikalimit të Shkozetit dhe përfundon tek Mbikalimi e Plepave. Projekti i mbikalimit të Durrësit përfshin ndërtimin e rreth 5 km superstradë me 4 korsi kalimi. Projekti parashikon ndërtimin e rrethrrotullimit të ri të Shkozetit dhe  të tre rrethrrotullimeve të reja në pikat lidhëse me rrugët transversale, nënkalim e trasesë hekurudhore si edhe degëzimet që e lidhin mbikalimin me portin e Durrësit dhe kodrat e Rrashbullit  dhe që janë në total 2 km rrugë me katër kalime. Kostoja e këtij projekti arrin në 12.9 milionë Euro investim i Fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare.

/e.a. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/