Pas vitesh të tëra pritjeje, duket se më në fund rikonstruksioni i godinës së Bankës Kombëtare Tregtare në Durrës ka nisur.
Megjithëse mëngjesin e sotëm në godinë nuk dukej se kishte punëtorë që punonin, tek skulptura e mbretëreshës Teutë, në pikën kulmore të godinës është vendosur një skelë.
Që nga qershori i vitit 2018, godina historike e Durrësit, e përfshirë thuajse në të gjitha kartolinat dhe suveniret me pamje nga qyteti bregdetar, qëndron e kyçur në pritje të restaurimit.
Amortizimi i monumentit të kulturës, të kategorisë së dytë, duket qartë në fasadën e jashtme, por edhe në ambientet e brendshme nga ajo çfarë mund të shihet nga jashtë, nga dritaret gjysmë të hapura.
Për 4 vite me radhë, restaurimi i njërës prej ndërtesave më përfaqësuese të qytetit nuk niste, ndërsa arsyet nuk dihen.
Vendosja e skelës ditët e fundit duket se jep sinjalin e nisjes së punimeve, por në hyrje të bankës mbetet ende e njëjta tabelë informuese e vendosur vite më parë.
“DurrësLajm” kontaktoi me arkitekten Lida Miraj, hartuesja e projektit të restaurimit të godinës monumentale, por ajo mohoi të ishte vënë në dijeni nga banka e nivelit të dytë për nisjen e punimeve.
“Projekti i restaurimit ka disa vite që është bërë dhe miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës. Në projekt kemi synuar në detaje ruajtjen e autenticitetit të Bankës së parë të ndërtuar në Shqipëri në vitin 1925“, tha Miraj.
Nëse punimet nisin, ato normalisht duhet të mbikqyren nga ekspertët e trashëgimisë kulturore për t’i qëndruar korrekt procesit të restaurimit, për vetë rëndësinë që ka ky monument për historinë e Durrësit të kohëve moderne.
Arkitektja Miraj thekson se godina do të restaurohet duke i qëndruar besnik projektit të gati një shekulli më parë, realizuar nga arkitekti italian Vittorio Ballio Morpurgo.
M.B.