Festat e fundvitit mbetën pas dhe tashmë emigrantët e kthyer në atdhe për pushime kanë nisur rikthimin në vendet e perëndimit.

Rreth 3-00 pasagjerë janë regjistruar në dalje çdo ditë nga pika kufitare e portit të Durrësit. Tragetet e linjës Durrës – Bari dhe anasjelltas operojnë me lundrime të dyfishta, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e martë, të kësaj jave. Gjatë të dielës, në port u përpunuan 3630 pasagjerë dhe 1002 automjete.

Ndërkohë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike gjatë mbrëmjes së datës 4 janar, një nga dy tragetet e planifikuara për lundrim drejt Barit nuk arriti të niset, por pasagjerët lundruan drejt portit të vendit fqinjë me tragetin që kryen itinerarin Durrës – Ankona.

Sot parashikohen të lundrojnë drejt portit të Barit 4 tragete, njëri prej të cilëve do të niset rreth orës 13.00, ndërsa 3 mjetet e tjera lundruese do të nisin udhëtimin rreth orës 23.00.

Autoriteti Portual Durrës njofton se vijon të monitorojë me vëmendje situatën meteorologjike dhe lëvizjen e mjeteve detare, në bashkëpunim të ngushtë me kompanitë lundruese dhe autoritetet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së operacioneve portuale.

Përgjatë vitit që lamë pas, në terminalin e pasagjerëve, në hyrje dhe dalje u regjistruan 726.824 udhëtarë dhe 922 lundrime tragetesh ose rreth 1% më shumë se në vitin 2024

Për shkak të detit të trazuar të këtyre ditëve të para të fillim vitit, flota e peshkimit ka qenë e bllokuar në port dhe vetëm ditën e nesërme pritet që disa prej peshkarexhave të dalin në det.

Pas ndërprerjes së procesit të ngarkim shkarkimit të anijeve gjatë ditës së dielë për shkak të erës së forte që kishte përfshirë gjirin e Durrësit, puna vijon normalisht këtë të hënë. Një ditë më parë, shpejtësia e erës varionte 15–18 m/s, me drejtim nga jugu, gjë që e vështirësonte së tepërmi procesin normal të punës në këtë sektor.

M.B.