Edicioni i XVIII i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës ngriti siparin mbrëmjen e së premtes në katedralen “Shën Luçia” të Durrësit.

I kthyer tashmë në një traditë të bukur të përvitshme, festivali sjell në Durrës instrumentistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, por një hapësirë të veçantë u kushton edhe muzikantëve të rinj, studentë të Akademisë së Arteve dhe nxënës të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.

Organizatorja e festivalit, Nevila Kalaja na rrëfen më shumë për risitë e këtij edicioni.

“Ashtu si edhe në edicione të tjera janë pjesëmarrës instrumentistë nga vende të ndryshme, si psh nga Austria, meqë kemi ambasadën austriake partnere e aktivitetit. Kemi instrumentistë gjermanë, italianë, por nuk mungojnë ashtu si edhe herë të tjera instrumentistë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Për të pestin vit radhazi vazhdojmë me projektin e studentëve, të cilët do të interpretojnë në një nga netët koncertale”,- tha Kalaja.

Nata e parë e këtij festivali u hap nga kuarteti i instrumentistëve nga Torino, të cilët interpretuan pjesë të kompozitorit italian Ezio Bosso, të shoqëruar nga pamjet filmike të filmit “The lodger”, të regjisorit të famshëm Alfred Hitchcock.

Kuarteti nga vendi fqinj interpreton për herë të parë në Shqipëri dhe për ta kjo mbrëmje mbart emocione të veçanta.

“Kjo është hera e parë që interpretojmë në Shqipëri. Do të luajmë muzikën e kompozitorit të ndjerë torinez Ezio Bosso. Kjo muzikë u krijua për kolonën zanore të filmit të parë të regjisorit hollivudian Hitchcock. Ne e kemi interpretuar shumë herë atë së bashku me kompozitorin 20 vite më parë, ndërkohë që vitet e fundit kemi dhënë koncerte në Itali dhe vende të tjera evropiane. Propozimi për ta interpretuar, ndërsa shfaqet dhe filmi në sfond është mjaft origjinale dhe shpresoj të pritet mirë nga publiku”, tha Andrea Repetto, instrumentist nga Torino.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës ul siparin e tij të dielën e 23 korrikut.

M.B.