3 shtator 2015 –  Të enjten, më 3 shtator 2015, në pesë zona të qytetit ka filluar shpërndarja e librave të nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Durrësit për vitin shkollor 2015-2016. Janë rreth 3 000 komplete librash që janë nisur për në këto zona, shkollat e të cilave janë kompletuar, me përjashtim të shkollës se ish-Kënetës, librat e të cilës janë duke u përzgjedhur dhe paketuar; ata do të shpërndahen një ditë më pas. Në shkollën “Bedrie Bebeziqi” ka pasur radhë për të marrë librat dhe prindërit kanë shprehur edhe shqetësime, si për faktin e pritjes ashtu dhe për mënyrën e shpërndarjes së librave. Një ndër vërejtjet e disa prindërve ka qenë edhe rritja e çmimeve kundrejt një viti më parë si dhe frika disa personave me aftësi të kufizuar nëse do ta marrin rimbursimin e premtuar nga shteti.

Bëhet e ditur se në qendrën e shpërndarjes së këtyre librave deri tani janë plotësuar me libra kompletet e klasave II të 9-vjeçares deri te klasat IX, ndërsa kanë mangësi klasat e I dhe VI, pasi janë tekste të reja që janë tenderuar para pak ditësh dhe nga kjo janë shtypur me vonesë.

/portali DurresLajm/