DURRËS, 23 tetor 2014 – E mërkura dhe e enjtja, 22 e 23 tetor 2014 shënuan fillimin e vjeshtës së vërtetë në Durrës, që për 20 ditë ofroi dhe mundësi për amatorët e notimit vendës, tiranas dhe shqiptarë nga trojet etnike.
Vrenjta e motit, retë dhe shirat e lehtë të së mërkurës dhe dendësimi i reshjeve gjatë natës së mërkurës dhe së enjtes ulën dukshëm temperaturat mesatare minimale dhe maksimale, teksa dallgëzimi i detit ka shkaktuar vonesa të mëdha të mbërritjes së trageteve në portin e Durrësit në paraditen e 23 tetorit 2014.
Sipas “Buletinit të rrezikut nga dukuritë hidrometeorologjike” të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, nga ora 12:00 e 22 tetorit deri në orën 23 të datës 23 tetor 2014, në qarkun e Durrësit u parashikuan reshje mesatare (15-45 mm/24orë) dhe lokalisht intensive (45-90 mm/24orë) në formë shtrëngate.
Vihet re se rajoni i Ballkanit do të ndodhet nën ndikimin e një fushe me presion atmosferik të ulët si dhe e ardhjes së një fronti atmosferik të ftohtë, teksa në zonat malore të vendit ka rënë dëbora e parë.
Moti i paqëndrueshëm, me kthjellime në Durrës do të vazhdojë edhe të enjten e të premten dhe në ditët në vazhdim pritet njëfarë stabilizimi i motit me diell, por me temperatura minimale nga 10 gradë më 22-23 tetor 2014 në 5,3, 2 gradë të hënën e ardhshme; kurse temperaturat maksimale do të fillojnë të ngrihen nga 15 g në 17, 19, 20 gradë celsius.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





