DURRES, 26 prill 2013– Ditën e sotme pranë shkollave të mesme “Leonik Tomeo”, Teknologjike dhe e Fizkulturës Durrës, filloi aplikimin Projekti “Bashkohu dhe ti, i themi jo dhunës”.

Ky është një ndër tre projektet fituese të fazës së parë të aplikimit, të ndërmarra në kuadër të Programit  ”Mbështetja e Suedisë për Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë/Policinë e Shtetit për Policimin në Komunitet”.

Këto projekte kanë si synim përmirësimin e marrëdhënies midis organizatës policore dhe komunitetit, e në mënyrë të veçantë komunitetit të të rinjve.  Ai synon të përmirësojë aftësinë e Policisë së Shtetit për të ofruar rend dhe siguri në përputhje me parimin e ofrimit të shërbimit si dhe të rrisë besimin dhe gatishmërinë e individëve dhe komuniteteve për të bashkëpunuar aktivisht  me Policinë në parandalimin dhe uljen e nivelit të krimeve.

Për zbatimin e projektit Policia e Qarkut Durrës do të bashkëpunojë ngushtësisht me një  numër aktorësh vendorë si Drejtoria Rajonale Arsimore Durrës, pushteti vendor, organizatat e shoqërisë civile, mediat, komunitetin e prindërve dhe komunitetin në përgjithësi. Skema e granteve të vogla është metoda që po aplikohet  për të ndihmuar në  përmirësimin  dhe shtimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis policisë dhe të rinjve.

Me fushatën sensibilizuese të ndërmarrë, u paraqitën një numër i konsiderueshëm projektesh, të cilët kishin si objektiv ndikimin në përmirësimin e raportit midis Policisë dhe të rinjve.

Në fazën e parë të programit 3 projekte u përzgjodhën fituese e konkretisht:

-Projekti “Bashkohu dhe ti, i themi jo dhunës” i DAR Durrës, i cili do aplikohet në shkollat e sipërcituara.
-Projekti “Pjesëmarrja e të rinjve romë në rritjen e sigurisë komunitare në Durrës”, subjekti IRCA (Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri), i cili do të zbatohet në Shkollën 9-vjecare”Isuf Ferra” si dhe me të rinj romë që nuk frekuentojnë shkollat, kryesisht komunitetit rom i lagjes Nr.14 Shkozet.
-Projekti “Reduktimi i braktisjes së shkollës sjell rritjen e mbrojtjes së fëmijëve” i Bashkisë Shijak, i cili do të zbatohet në 3 shkollat 9-vjecare dhe atë të mesme të Bashkisë Shijak.

Tre projektete do të zbatohen në Qarkun e Durrësit përgjatë periudhës Prill-Qershor 2013.

Aplikimi i tyre pritet të ketë ndikim në informimin e të rinjve mbi fenomenet negative nga të cilat rriskohet grupmosha e tyre, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tyre mbi rëndësinë  e  vendosjes dhe ruajtjes së një raporti midis tyre dhe punonjesve të Policisë në funksion të rritjes së sigurisë në tërësi, informimi i të rinjve mbi fenomenin e dhunës në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë dhunës në familje dhe masat mbrojtëse e ndëshkuese të parashikuara e zbatuara, dhunën në mjediset arsimore dhe në mënyrë të veçantë dhunën që të rinjtë ushtrojnë ndaj njëri-tjetrit, me pasojat dhe sanksionet e aplikueshme.

I një rëndësie të veçantë konsiderohet përçimi i një informacioni të tillë nga të rinjtë drejt familjarëve të tyre.

Në mënyrë reciproke, nga stafi i psikologëve të shkollave të mesme pritet të zhvillohen seanca trajnuese me oficerë policie e prindër, të cilat do të kenë në fokus njohjen me karakteristikat moshore të grupmoshës së adoleshentëve, komunikimin efektiv me këto grupmosha,pasojat psikologjike tek të rinjte të dhunës në familje, teknika të menaxhimit të emocioneve negative, etj.

Drejtoria e Policisë Qarkut që prej disa vitesh zbaton por edhe mbetet e hapur e tejet bashkëpunuese në aplikimin e programeve të tilla, të cilat e ndihmojnë atë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit  dhe vendosjen e partnetitetit me komunitetin rajonal. Ajo vlerëson e aplikon forma, të cilat produktin e tyre e paraqesin në formën e rritjes së sigurisë në komunitet nëpërmjet parandalimit.

Ky program do të zhvillojë në Qarkun e Durrësit edhe një fazë të dytë, e cila do të zbatohet gjatë vjeshtës.