Instituti i Arkeologjisë ka vendosur të avancojë gërmimet arkeologjike në sheshin, ku po ngrihet Veliera për të parë lidhjen që ka struktura e periudhës osmane me murin bizantin.

Pas bllokimit me gjyq të punimeve në afërsi të Torrës Veneciane ka filluar faza e dytë e punës së specialistëve të arkeologjisë. Kujtojmë se në këtë shesh, javë më parë u zbuluan një ndërtesë e periudhës osmane, 2 topa dhe një sasi gjylesh.

Edi Shehu, Profesor i Asociuar dhe mbikëqyrës i punimeve në Durrës pranë ‘Velierës’, thotë se tashmë kanë filluar punimet e fazës së dytë në dy pika, për të përcaktuar më qartë strukturat e zonës. 
Arkeologu Shehu deklaroi se deri në këtë  fazë të sondazhit nuk ka dalë ende në dritë ndonjë objekt konkret, sepse është akoma herët.  

Afër pikës së sondazhit ku po kryhen gërmimet ndodhej dikur “Golden Gates”, porta e rrugës “Egnatia” drejt lindjes.

Kreu i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita, tha më herët për DurrësLajm se duhet të ruhen këto struktura me gjithë zhvillimin antik të Durrësit.

“Po bëjmë çmos që përveç zbulimeve të bëjmë edhe një pjesë të kërkimit tonë që ka të bëjë me murin bizantin të shekullit V e VI e dora-dorës do të krijojmë një asambël të përgjithshëm për të alternuar edhe murin bizantin, me pjesët e tjera të shekullit XVII e XVIII, të dala në dritë së fundmi. Ne do shikojmë lidhjen që kanë këto struktura me murin bizantin. Do shikojmë si do ta strukturojmë të gjithë këtë asambël arkeologjik. Do shikojmë lidhjen që ka godina e peridhës osmane me murin bizantin dhe më pas do të zgjerohemi me gërmime përgjatë murit bizantin” tha Bërzhita.  

K.H.