Në Komandën e Forcës Detare Durrës, u zhvillua ceremonia për përcjelljen e kontigjentit të katërt për në operacionin e NATO-s në detin Egje.
Në ceremoninë e përcjelljes së trupave ishin të pranishëm drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Tonin Marku, komandantë të forcave dhe komandave ushtarake të Forcave të Armatosura, të afërm të tyre etj .
Komandanti i Flotës Detare Ylber Dogjani tha se misioni i ushtarakëve tanë në Mesdhe është të shpëtojnë jetët njerëzore të emigrantëve që vijnë nga lindja. Drejtori i Shtabit, Gjeneral Tonin Marku në fjalën e tij deklaroi se “Pjesëmarrja në operacionin në detin Egje është një përvojë e vyer për rritjen e profesionalizmit të ushtarakëve tanë”.
Ceremonia vijoi me dorëzimin e flamurit nga drejtori i Shtabit të Forcave të Armatosura, komandantit të rangut të tretë Taulant Bakos, i cili do të drejtojë për dy muajt në vazhdim kontigjentin në detin Egje.
Ky kontigjent zëvendëson kontigjentin që u dislokua në detin Egje në muajin mars të këtij viti, si pjesë e operacionit “Sea Guardian” të NATO-s, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndaluar trafikimin ilegal dhe migrimin. Grupi Detar SNMG2, pjesë e të cilit është edhe anija jonë, përbëhet nga anije holandeze, britanike, greke dhe turke.
K.H.





