– Ministria e Mbrojtjes nuk ka komplekse dhe publikon foto me Komandantin e Përgjithshëm, nga ana tjetër Presidenca “zhduk” çdo gjurmë të kreut të dikasterit “të gjelbër”

– “Sëmundja Rama”: kreu i shtetit dhe i ushtrisë, nuk kishte ardhur as me uniformën zyrtare të Presidentit as me atë laramane, por tejet sportiv, pa kravatë dhe me kontrast ngjyrash xhaketë-pantallona

DURRËS, 13 shtator 2014 –  Disa orë pas dy lëkundjeve të tërmetit në detin Adriatik, 1 km larg Bishtit të Pallës, në bazën detare në Kepin e Palit u zhvillua “Dita e vizitorëve të shquar” të stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion 14”, ku kreu i shtetit dhe kryekomandant i ushtrisë, z. Nishani nuk kishte ardhur as me uniformën zyrtare të Presidentit as me atë laramane, por tejet sportiv, pa kravatë dhe me kontrast ngjyrash xhaketë-pantallona.

Më 13 shtator 2014, në veri të Durrësit, në ish-bazën detare ushtarake, tashmë të braktisur, në Bishtin e Pallës, u zhvillua “Dita e vizitorëve të shquar” të stërvitjes së përbashkët shqiptaro-britanike “Albanian Lion 14”.

Ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Komandanti i Përgjithshëm z. Bujar Nishani; ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli; admirali britanik Bob Tarrant; shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA të Shqipërisë gjeneralmajor Jeronim Bazo; ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, z. Nicholas Cannon, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, atashe ushtarakë të akredituar në Shqipëri, etj.

Bie në sy se, nëse Ministria e Mbrojtjes kishte publikuar dhe foto ku dukeshin bashkë z. Nishani dhe znj. Kodheli, Presidenca kishte shmangur çdo foto të Ministres së Mbrojtjes.

Mes një peizazhi piktoresk, pyll dhe det, ndërtesa të braktisura të ish repartit ushtarak, të pranishmit ndoqën një demonstrim konkret të manovrave me mjete amfibe, helikopter dhe avionë luftarakë si dhe disa veprime të përbashkëta shqiptare dhe britanike në ushtrime të sulmit detar, operacione kërkimi dhe asgjësimi në formën e një stërvitjeje luftarake.

NISHANI: HISTORI E GJATË BASHKËPUNIMI

Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve dhe komandove pjesëmarrëse në stërvitjen “Luani Shqiptar 2014”, Presidenti Nishani, tha:

“Stërvitje të tilla rrisin ndërveprimin dhe certifikojnë standardet profesionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, vuri në dukje një fakt shumë të njohur që “dy vendet dhe forcat tona të armatosura kanë një histori të gjatë bashkëpunimi dhe mbështetje në kuadrin e Aleancave, gjatë Luftës së Dytë Botërore, për anëtarësimin në NATO dhe udhëtimin drejt Bashkimin Evropian.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam privilegjin të shpreh respektin dhe mirënjohjen për vëmendjen, mbështetjen dhe kontributin e spikatur që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë në të gjithë këto 102 vjet përpjekje të ndërtimit të shtetit, vendosjes dhe konsolidimin e demokracisë”.

Duke folur për situatën e trazuar në brigjet lindore të Mesdheut, në një kohë kur mbarë bota i ka sytë edhe tek zhvillimet shqetësuese në Ukrainë, Presidenti u shpreh se ato:

përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe lirinë, një shqetësim të madh për gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe padyshim përbëjnë një sfidë kritike për Aleancën e NATO-s.

Aleanca e Atlantikut të Veriut e ka tejkaluar me sukses sovranitetin territorial të hapësirës euro-atlantike” duke theksuar se Aleanca jonë e përbashkët është shpresa e paqes dhe lirisë në të gjithë globin.

Kjo stërvitje po zhvillohet vetëm një jave mbas Samitit të Uellsit, duke shërbyer kështu edhe si një mesazh kuptimplotë për solidaritetin midis aleatëve dhe përkushtimin e vendeve tona për të ndërtuar dhe zhvilluar kapacitete të besueshme për sfidat e kohës.

Duke pasur besim se fryma e solidaritetit, përgjegjshmëria e Liderëve të 28 vendeve aleate, kohezioni me qytetarët do t’i transformojnë këto sfida në mundësi më të mira për qytetarët dhe vendet tona, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit dhe Komandantit të Përgjithshëm siguroj për mbështetjen dhe angazhimin e pakursyer të Republikës së Shqipërisë për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe ushtrive në kuadrin e NATO-s dhe atë dypalësh”.

KODHELI: STËRVITJA NË NJË KOHË TË BRISHTË

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli vlerësoi angazhimin dhe rezultatet e arritura nga trupat pjesëmarrëse gjatë stërvitjes:

“Kjo stërvitje që bëhet në vendin tonë, është një tregues i madhësisë dhe rëndësisë së saj, por gjithashtu dëshmon bashkëpunimin e shkëlqyer të  Royal Marines me Forcat tona të Armatosura dhe se përfitimi më i madh është pikërisht konsolidimi i miqësisë midis dy Forcave tona të Armatosura.

Një javë më parë pata privilegjin që në përbërje të delegacionit shqiptar të kryesuar nga kryeministri i Shqipërisë, të merrja pjesë në Samitin e NATO, Uells në Mbretërinë e Bashkuar. Ky samit do të mbetet në historinë e Aleancës tonë, si samiti ku edhe njëherë me zë të fortë dhe të unifikuar u bë e qartë se Aleanca është e bashkuar, e fortë dhe e gatshme të mbrojë secilin vend anëtar të saj.

Stërvitja “Luani Shqiptar 2014” po zhvillohet në një kohë të brishtë për sigurinë tonë të përbashkët dhe në veçanti për kontinentin evropian. Shqipëria ka dënuar prej fillimit agresivitetin e Federatës Ruse dhe iu është bashkuar pozicionimeve të aleatëve tanë, duke përfshirë dhe sanksionet ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, rreziqet nga jugu janë duke u bërë çdo ditë e më shqetësuese. Të gjithë kemi parë me një shpejtësi marramendëse brutalitetin e ngjarjeve tragjike në Irak dhe Siri. Terrorizmi dhe fondamentalizmi, të cilat kanë ekzistuar, po kapërcejnë çdo limit dhe po shkelmojnë çdo parim themelor dhe vlerë universale. Ne nuk mund të lejojmë që kjo situatë të vazhdojë. Prandaj,Shqipëria mori vendimin për të vepruar shpejt dhe në koherencë me aleatët, për të mbështetur qeverinë e Irakut me armatim dhe municion. Ndër vite ne kemi treguar se kemi vullnet, jemi të përgjegjshëm dhe të vendosur për të vepruar kudo dhe kurdo. Jam e bindur se kjo do vazhdojë të jetë e vlefshme dhe në të ardhmen”.

/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/