Nga sot, në portin e Durrësit nisin lundrimet e dyfishta të trageteve që lidhin dy brigjet e Adratikut.
Kapiteni i portit të Durrësit, Tauland Allka thotë se ditët në vijim, sidomos në fundjavë, pritet një fluks i shtuar i pasagjerëve dhe automjeteve, ndërkohë që vetëm 5 ditët e fundit kanë mbërritur në këtë pikë kufitare rreth 12.600 pasagjerë, ndërsa kanë lënë portin 2256 pasagjerë.
Njëkohësisht, linja Durrës-Ankona dhe anasjelltas ka aktualisht udhëtime të përditshme. Pasagjerët e mbërritur sot me këtë linjë kanë ardhur për të kaluar pushimet në atdhe.
Ata që kanë planifikuar pushime në jug të vendit shprehen pak të habitur me çmimet e “frikshme”, që po aplikohen nga operatorët turistikë në rivierën shqiptare.
Për të përballuar në kohë rekord fluksin e pasagjerëve dhe automjeteve, autoritetet portuale kanë shtuar ndjeshëm numrin e sporteleve.
“Policia Kufitare ka shtuar sportelet dhe Autoriteti Portual ka vënë në dispozicion së bashku me koncesionarin e terminalit të gjitha facilitetet e nevojshme. Sot janë hapur 25 sportele për pasagjerët dhe automjetet, ndërsa në ditët e fluksit numri i tyre do të shkojë deri ne 30 të tilla”,– thotë kapiteni Allka për “DurrësLajm”.
Ashtu si edhe vitet e kaluara, muaji gusht pritet të jetë periudha kur në portin e Durrësit pritet të përpunohet numri më i lartë i pasagjerëve dhe mjeteve, kjo për shkak të kthimit në atdhe të mijëra emigrantëve që jetojnë e punojnë në vendet e BE-së.
M.B.