Durrës, 21 Shkurt – Zhvilimi i Transportit Detar dhe portet si pjesë e bashkëpunimit rajonal, ishin të premten temat e diskutuara në Tryezën e Rrumbullakët, që u organizua në mjediset e drejtorisë së Autoritetit portual të Durrësit. Veprimtaria organizohej nga ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe “Nisma Adriatiko-Joniane”.
Në kuadrin e kësaj nisme muajit e fundit, janë zhvilluar disa takime, në të cilat janë trajtuar gjërësisht bashkëpunimet në sektorin e peshkimit dhe në atë të mjedisit.
Nëndrejtori i Portit të Durrësit, Artjan Qirici, si përfaqësues i APD, në Tryezën e Rrumbullakët, vlerësoi se strategjitë portuale zhvillohen në përputje me politikat qeverisëse në këtë drejtim. Giusepe di Paola, përfaqësues i Sekretariatit të nismës Adriatiko-Joniane, shtoi se ky është një moment kyc për bashkëpunimin rajonal.
Sipas z. Di Paola, strategjitë e përbashkëta do të paraqiten brenda gjysmës së parë të këtij viti, për të marrë miratimin e Komisionit Evropian. Takimi i sotëm paraprin takimin me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë,z. Ditmir Bushati, që do të zhvillohet nesër-tha më tej di Paola.
Më pas, tryeza i vazhdoi punimet në dy seksione, ku u trajtuan përkatësisht problematikat e transportit detar dhe ato të infrastrukturës portuale.
/ATSH-Gëzim Kabashi/





