Durrës, 18 prill 2014 – Kushtet e vështira ekonomike në të cilat jetonte e kanë detyruar një 48 vjeçar nga Durrësi të ndërmarrë aktin ekstrem.
Mësohet se 48 vjeçari, identiteti i të cilit nuk është zbardhur nga policia, vuante prej disa kohësh nga depresioni për shkak të varfërisë në të cilën ishte e detyruar të jetonte familja e tij. Ai dhe bashkëshortja e tij ishin prej vitesh të papunë.
Varfëria ishte ulur këmbëkryq në këtë familje, gjë që e detyroi kryefamiljarin të tentonte vetëvrasjen një ditë më parë. Në pamundësi për të ndryshuar realitetin e hidhur ai ka goditur veten e tij me thikë në gjoks.
Por fatmirësisht goditja vetëm e ka plagosur dhe nuk i ka shkaktuar dëmtime serioze për jetën. 48 vjeçari është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal, ku sipas mjekëve gjendja e tij shëndetësore paraqitet e normalizuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





