DURRES – Galeria pamore “Nikolet Vasia” në qytetin e Durrësit ka hapur siparin e aktiviteteve të këtij viti me dy ekspozita të veçanta. Arbëreshi Luis de Rosa solli për publikun durrsak ekspozitën "Fshati im, një fshat arbëresh", ku përmes fotove me shpjegimet përkatëse përcillte për artdashësit dhe qytetarët durrsakë jetën e komunitetit të fshatit arbëresh të Rurit, apo Ururit siç e quajnë italianët. Ndërkohë piktori durrsak Agim Kumulla erdhi me të parën ekspozitë të tijën personale, pas një periudhe të gjatë të kaluar në emigracion, ku ka punuar kryesisht si restaurator dhe skulptor.
E veçanta e ekspozitës ishte fakti se vinin të shkrira në një tw vetme dy gjini arti, piktura dhe fotografia; dy fate njerëzore të ndryshme, një arbëresh që jeton prej vitesh në vendin tonë dhe një emigrant që kthehet pas shumë kohësh në vendin e tij; dy realitete të ndryshme, nga njëra anë jeta e një komuniteti arbëresh që për më shumë se 500 vite ruan traditat, zakonet dhe gjuhën shqipe, dhe nga ana tjetër realiteti shqiptar, figurat historike të tij dhe pamjet e natyrës që vinin përmes penelit të piktorit Kumulla.
Në një bashkëbisedim që Durrëslajm.com zhvilloi me arbëreshin Luis de Rosa, ai u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite është pasqyrimi para publikut durrsak të jetës së një komuniteti shqiptar, që megjithëse i larguar prej më shumë se 500 vitesh nga trojet amtare vazhdon të ruajë si gjënë më të shtrenjtë gjuhën shqipe. “Në fshatin tim të gjithë flasin shqip. Në lokale dhe gëzime familjare shqipja është gjuha e komunikimit. Më vjen keq vetëm për faktin se të rinjtë e sotëm kanë nisur të komunikojnë në italisht dhe evitojnë të flasin gjuhën shqipe, të cilën e kemi ruajtur për shekuj me rradhë”,- tha de Rosa.
Në riprodhimet me ngjyra të përzgjedhura për ekspozitën, de Rosa sjell shumë portretizime të Skënderbeut, figura më e nderuar mes banorëve të Rurit.
Ndërkohë mjaft prezente është figura e Skënderbeut edhe në pikturat e Agim Kumullës. Ai shprehet se ndjenja e patriotizmit e ka shoqëruar përgjatë gjithë jetës dhe këtë është munduar ta përcjellë edhe përmes pikturave të tij dhe tematikave e personazheve të trajtuara në to. 21 pikturat që Kumulla ka përzgjedhur për të paraqitur para artdashësve durrsakë janë punime të 3 viteve të fundit. Mes tyre nuk mungojnë edhe natyrat e qeta apo nudot femërore.