Durrës, 25 prill 2014 – Një ditë pasi u bë protagonist i një grindjeje me prindërit e tij dhe në gjaknxehtësi e sipër shkatërroi shtëpinë dhe tentoi vetvrasjen, 23 vjeçari Olvi T, banues në Durrës, është kthyer të jetë sërish problematik për forcat e rendit.
Policia e Durrësit bën të ditur se 23 vjeçari Olvi T. dyshohet se ka vjedhur gjatë natës në dyqanin e 21 vjeçarit Ç.P., në lagjen nr.15 dyer dhe dritare alumini.
Një ditë më parë 23 vjeçari, gjatë konfliktit me familjarët e tij, theu xhamin e dritares dhe dëmtoi derën e shtëpisë. Me këtë vjedhje, si duket i riu ka kërkuar të “rregullojë” dëmet e shkaktuara në shtëpi.
Por në këtë rast, ai ka shtuar edhe më tepër precedentët penalë në ngarkim të tij. Ndërsa një ditë më parë, i riu u akuzua nga policia për “Shkatërrim prone”, tashmë një tjetër akuzë rëndon mbi të, ajo për “Vjedhje”.
Policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në mungesë për të riun 23 vjeçar dhe po punon për prangosjen e tij.
Ngjarja e një dite më parë
Një i ri nga Durrësi ka shkatërruar shtëpinë dhe ka tentuar të vetëvaret, në formë presioni ndaj prindërve të tij që nuk i jepnin para për të shpenzuar. Ngjarja ka pasur për protagonist 23 vjeçarin Olvi T. Mësohet se i riu prej kohësh ishte i papunë dhe vazhdimisht u kërkonte prindërve para për të plotësuar dëshirat e tij. Në pamundësi për t’ia plotësuar kërkesat si dhe të lodhur nga dembelizmi i djalit të tyre dhe justifikimet e zakonshme për të mos u angazhuar me punë, prindërit kanë refuzuar t’i japin para.
I ndodhur në këto kushte, rreth orës 09.00 të ditës së mërkurë, 23 vjeçari ka nisur të grindet me familjarët e tij dhe në një moment zemërimi ka thyer xhamin e njërës prej dritareve të shtëpisë si dhe ka dëmtuar derën e banesës. Ndërsa prindërit kanë nxituar të pengojnë djalin e tyre që t’u shkatërronte shtëpinë, ai ka tentuar të vetëvaret në banesë.
Kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar policinë, kur kanë dëgjuar të bërtiturat dhe zhurmat që vinin nga shtëpia e 23 vjeçarit O.T. Policia, e cila ka mbërritur menjeherë në vendngjarje, ka nisur hetimet për këtë rast.
Sipas policisë, “depresioni” i të riut ishte më shumë një formë e zgjedhur prej tij për të vazhduar jetën e shkujdesur që bënte, sesa një sëmundje e mirëfilltë që mund ta çonte atë drejt ndërmarrjes së aktit ekstrem. Për këtë arsye efektivët e rendit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj të riut me akuzën “Shkatërrim prone”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





