Problemet që kanë fëmijët e zonave rurale të Durrësit, por edhe si e shikojnë ata të ardhmen e tyre, janë munduar t’i shprehin nëpërmjet një ekspozite fotografike në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia” në Durrës.
Janë një grup fëmijësh nga Sukthi, Rrashbulli dhe Katundi i Ri, që janë mobilizuar për të dokumentuar problemet që ata hasin në komunitetin ku jetojnë apo mësojnë.
Përmes ekspozitës, synohet prezantimi i problematikave dhe ndryshimet që fëmijët e këtyre zonave kërkojnë të bëjnë autoritetet vendore.
Në hapjen e kësaj ekspozite kanë marrë pjesë përfaqësues nga institucione vendore dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ky event zhvillohet në kuadër të projektit “Të njohim zonën tonë përmes hulumtimit narrativ dhe vizual (photo voice)" si pjesë e projektit “Përfshirja e Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri”, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Save the Children, në partneritet me Terre des Hommes në Shqipëri.
K.H.