DURRËS, 29 tetor 2013 – Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 29 tetor 2013, ora 2.00, u arrestua italiani A. C. 41 vjeç, banues në qytetin italian piemontez të Alessandrias (me popullësi 95 350 banorë, ku 3 211 janë shqiptarë deri më 21 mars 2013). Pesë orë më parë, 21.00 të datës 28 tetor 2013, në terminalin e trageteve të portit të Durrësit, gjatë një kontrolli që shërbimet e Policisë ushtruan në veturën Citroen, me targa italiane DR131ZF, në pronësi të A. C., në depozitën e naftës, iu gjetën e bllokuan si provë materiale 10 kg e 242.6 gramë kanabis. Lënda narkotike ishte paketuar në 27 pako. Krahas drogës, u sekuestruan automjeti, një aparat telefonik dhe një shumë e vogël në euro. Mediet televizive dhe një agjenci lajmesh raportuan për një sasi prej 20 kg dhe shoqërimin e tij të ndaluarit nga e fejuara, një femër shqiptare. Ky fakt nuk u konfirmua nga uniformat blu, që përgjysmuan dhe sasinë e kanabisit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





