Një punonjëse supermarketi dhe një familje në zonën e ish-Kënetës janë ndër rastet më të reja të prekura nga Covid-19 në Durrës.

Ditën e sotme u regjistrua një tjetër rekord negative përsa i përket rritjes së numrit të personave të prekur me 82 persona në total, nga të cilët 8 ishin në Durrës.

Në qytetin bregdetar aktualisht janë 33 raste aktive, nga të cilat 2 janë regjistruar ditët e fundit në bashki, duke sjellë për pasojë bllokimin e shërbimeve për qytetarët deri në një njoftim të dytë. Të gjithë tamponët e tjerë të bërë punonjësve të bashkisë kanë dalë negativë, por gjithsesi një pjesë e konsiderueshme e stafit është vetëkarantinuar.

Ndërkohë, kryeministri Rama, në një lidhje live nga zyra e tij deklaroi se fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarët.

“Nëse do vazhdojmë kështu do të mund të na duhet të rimbyllemi, dhe pastaj do na duhet të përballojmë me shumëfish sëkëlldinë që provuam kur u mbyllëm. Fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarët”, theksoi kryeministri Edi Rama.

Prej disa ditësh, në vendin tonë po rriten shifrat e personave të prekur nga Covid-19, shumë më tepër sesa në periudhën kur mendohej se ishte piku i pandemisë.