Një event i veçantë dhe frymëzues i organizuar në bashkëpunim të ngushtë mes regjisores Driada Dervishi dhe trupës së aktoreve të shfaqjes teatrale “7 Minuta”, që do të shfaqet së shpejti në teatrin “Aleksandër Moisiu”, u zhvillua paraditen e sotme.
11 aktoret, shumë prej të cilave emra të mirënjohur të skenës sonë, ishin pjesë e këtij aktiviteti në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore duke ndarë eksperiencën e jashtëzakonshme dhe shkëmbyer ide dhe përvoja mbi këtë temë të ndjeshme.
Regjisorja Dervishi shpjegoi arsyet përse zgjodhi këtë aktivitet në start të 16 ditëve aktivizëëm kundër dhunës me bazë gjinore.
“Dita e të drejtave në të cilën flitet shumë për të drejta, por që e dimë shumë mirë që të drejtat e grave dhe vajzave cënohen.
Sot menduam të bëjmë diçka ndryshe. Një pjesë që bën bashkë 11 aktore, një pjesë e mirë e së cilave e kanë provuar vështirësinë e të qenurit në skenë dhe të paragjykimit.
Menduam të bëjmë një aktivitet me të rinjtë në formë bashkëbisedimi ku mund të flitet me mesazhe dhe ndërgjegjësohet duke ndryshuar mentalitete dhe realitete.”
Moderuar nga regjisorja Dervishi, eventi përfshiu një panel diskutimi me aktorët e shfaqjes, aktivistë të shoqërisë civile dhe të rinj.
Në përfundim të shfaqjes, disa nga aktoret dhe vetë regjisorja Dervishi ndanë histori personale dhe mesazhe të ndjera për audiencën.
Driada Dervishi – Ai që ju do shumë nuk arrin t’ju lëndojë!
Zamira Kita – Ne kemi forcë! Jemi ne që udhëheqim një pjesë të shoqërisë, prandaj duhet të luftojmë për këtë gjë!
Anila Bisha – Gjithçka nis nga familja! Sa më shumë dashuri dhe respekt në rritjen e fëmijëve, aq më të përgatitur do të jemi për gjithçka.
Rudina Dembacaj – Në mortin familjar kur qanin babain tim, e qanin me fjalë “sa keq që nuk pate djalë”, sepse ne jemi 2 motra në një fis me shumë djem, ndërkohë babai më rriti me mentalitetin e kundërt të kësaj, duke dashur dhe vlerësuar veten. Prandaj ne duhet ta luftojmë mentalitetin!
Adelina Muça – Dhuna është në çdo formë. Jam një nënë single e një vajze, duke qenë e tillë na është dashur të ecim bashkë për dore! Ajo që ka qenë e rëndësishme në këtë rrugëtim është të mos pranonim dhunën. Të gjithë ju nëse ndjeni që po dhunoheni, ngrini zërin, sepse duhet të jeni heroinat e vetes tuaj!
Xhoana Karaj – Unë jam rritur vetëm nga mami dhe gjithnjë do e kem të ngulitur në mendje që shtylla kryesore e familjes është të kesh një partner të mirë dhe suportiv!
Paula Kodra – Sot i drejtohem të gjithë djemve! Nuk është turp të kesh ndjenja dhe t’i shfaqësh ato. Nuk duhet të tregoheni gjithnjë të fortë!
M.B.