Aktori Edmond Halili vjen sërish këtë vit me një show për të gjithë qytetarët dhe grupmoshat në Durrës. Premiera është në teatrin “Aleksandër Moisiu” në datat 19 deri më 21 tetor për tre netë me radhë. Aktori i humorit thotë se shfaqja është shumë e bukur, humori i mrekullueshëm, i kombinuar me një kolazh këngësh të muzikës së lehtë dhe popullore.

Edmond Halili, për DurrësLajm, thotë se ky është një humor pa banalitete, humor i pastër, që mund të ndiqet nga të gjithë familjarët së bashku, ndryshe nga çfarë shohim kohët e fundit nga aktorët.

Arsyet pse kjo shfaqje artistike nuk duhet humbur, i zbulon vetë protagonisti. Shfaqja ka një humor të pastër, nëpërmjet të cilit vihen në lojë tipare e karaktere të veçanta të shoqërisë.

Aktori, në rolin edhe të regjisorit për shfaqjen e tij, po bashkëpunon në këtë show me këngëtarët e muzikës popullore Hysni Alushi, Ylli Çiftja, motrat Ilva dhe Jona Puci, Jona Kapllanaj etj.

Aktori Halili thotë se janë zhvilluar provat për gati dy muaj dhe gjithçka është gati. Edhe çmimi i biletës është 300 lekë, mëse i përballueshëm nga të gjithë për të parë një shfaqje të përgatitur me shumë dashuri për publikun.

Qytetarët durrsakë që e duan humorin kanë shfaqur interes të madh për biletat për të tre netët e shfaqjes. Biletat shiten pranë pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.  

Megjithë vështirësitë e ndeshura, aktorët protagonistë të kësaj shfaqje janë të sigurtë se do të dalin të suksesshëm para publikut durrsak, i cili ka nevojë për humor dhe është njohës i thellë i kësaj gjinie artistike.

Edmond Halili, humoristi i njohur, i cili në fakt ka lindur në Durrës dhe pjesën më të madhe të aktivitetit të tij artistik e ka zhvilluar në Shkodër, është pjesë e Estradës së Durrësit që prej vitit 2002 dhe vjen me një show tërësisht të vetin për artdashësin durrsak, duke sjellë nëpërmjet humorit problematikat social-ekonomike dhe politike, tema këto aktuale të shqërisë shqiptare.

Kjo shfaqje do të ngjitet në skenen e teatrit “Aleksander Moisiu” në datat 19, 20 dhe 21 tetor. Njëkohësisht në të do të marrë pjesë edhe trupa artistike “Teuta”, e drejtuar nga Miltiadh Driza e Gëzim Tola.

K.H.