Durrës, 29 gusht 2014 – Një ditë pas prangosjes së mashtruesit Kujtim Kollgjeri, i cili kishte mashtruar disa qytetarë duke u shitur të njëjtin apartament më shumë se një personi, një skemë tjetër mashtrimi e vënë në jetë po nga ky shtetas ka dalë në dritë.
Duket se Kllogjeri ishte perfeksionuar në mashtrimin e qytetarëve, këtë herë në fushën e punësimit. Dëshirës së shumë hallexhinjve për një vend pune dhe një page për të mbajtur familjen, i është përgjigjur Kllogjeri, i cili me fjalë të bukura dhe premtime të shumta ka gënjyer jo pak, por 64 persona, të cilëve u kishte premtuar një vend pune në Kazakistan.
Secilit prej 64 personave të mashtruar prej tij, Kllogjeri u kishte marrë 350 euro si dhe pasaportën biometrike, veprim që e kishte justifikuar me faktin se do t'u bënte gati dokumentet për punësim.
Po ndërsa koha kalonte, asnjë prej të mashtruarve nuk është nisur drejt Kazakistanit për t’u punësuar. 51 vjeçarit i janë gjetur në shtëpi në cilësinë e provës materiale 64 pasaportat biometrike të të mashtruarve prej tij, ndërkohë që paratë është thuajse e pamundur që t’u rikthehen personave të mashtruar.
Po sot policia e Durresit nisi procedimin penal ne gjendje te lire ndaj 50 vjeçarit A.H., i cili kishte mashtruar 34 persona me premtimin se do t'u siguronte pune ne Kazakistan, ne sektorin e ndertimit. Sipas policise, deri tani nuk eshte provuar qe 50 vjeçari A.H. dhe Kujtim Kollgjeri te bashkepunonin me njeri-tjetrin.
Një ditë më parë, policia e Durrësit njoftoi se i kishte vënë prangat Kujtim Kollgjerit për veprën penale të mashtrimit. Në kallëzimet e depozituara në polici nga qytetarë të ndryshëm, 51 vjeçari rezulton se iu ka shitur më shumë se një herë të njëjtin apartament (nga banesat që ka ndërtuar shoqëria që përfaqëson) shtetasve të ndryshëm, apo nuk ka respektuar kushtet e përcaktuara në kontratat e shitjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





