· EKSKLUZIVE / Pa paragjykuar ankesat e Kapitanerisë së Përgjithshme shqiptare të Porteve (nënkupto Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës) ndaj prokurorisë italiane të Barit, është rasti të vihet në dukje se kjo Kapitaneri / Administratë Detare / Ministri nuk ka njoftuar publikun shqiptar se një anije rreth 40-vjeçare, e ndërtuar në vitin 1975, u dogj pjesërisht, më 29 nëntor 2014, dhe se nuk do të udhëtonte më në linjën shqiptaro-italiane Bari-Durrës-Bari
DURRËS, 4 janar 2015 – Aksidenti i 28 dhjetorit 2014 me tragetin “Norman Atlantic” të kompanisë greke “ANEK Lines”, i parapriu një muaj parë, më 29 nëntor 2014, një zjarr, që ra në tragetin, e po kësaj kompanie, “Ierapetra L.”, të linjës Bari-Durrës-Bari. Fatmirësisht, “Ierapetra L.” ishte pa udhëtarë në bord dhe 25 milje larg portit të Brindisit.
Ngjarja u pasqyrua në portalet e lundrimeve, por nuk ra në sy në Shqipëri. Dhe është për t’u habitur që nuk përmendet as në raportet për ngjarjen tragjike në “Norman Atlantic”. Në këtë pikëpamje, zjarri në anijen e linjës Bari-Durrës-Bari ishte kronikë e një zjarri të paralajmëruar në “Norman Atlantic”, ku menaxhere e të dy dyve është “ANEK Lines”-i.
JA ÇFARË NDODHI
Në mbrëmjen e 29 nëntorit 2014, shpërtheu zjarr, 25 milje nga bregdeti italian, në mashinën (dhoma e motorit) e tragetit të udhëtarëve, ro-ro, 139 metër i gjatë, “Ierapetra L.”. Anija menjëherë u kthye në Brindisi.
Aksidenti detar ndodhi gjatë lundrimit teksa anija “Ierapetra L.” e kompanisë greke “ANEK Lines” po largohej nga porti i Brindisit, ku kishte qëndruar për rreth një muaj, me kurs në drejtim të portit grek të Gumenicës për punime të tjera mirëmbajtëse. Nuk ka pasur, natyrisht, udhëtarë në bord të imbarkuar për linjën Bari-Durrës, përveç 23 pjesëtarëve të ekuipazhit. Raportimi i menjëhershëm në Pire, për shkak se anija po lundronte me flamur grek, ngriti në alarm autoritetet e portit të Brindisit, Otrantos dhe Galipolit, që dërguan tri motovedeta (anije patrullimi) të rojës bregdetare italiane.
“Ierapetra L.” u dogj në orën 22:25 dhe u shua me sistemet e mbrojtjes nga zjarri në bord. Anija “Ierapetra L.” ishte 25 milje nga porti i Brindisit, por tashmë në ujërat ndërkombëtare. Ndihmohet nga një anije patrullimi e rojës bregdetare. Rifilloi lundrimin dhe menjëherë të kthehet në portin e Brindisit, në orët e para të mëngjesit. Nuk pati viktima. Trageti pësoi dëme të mëdha në mashinë dhe kishte shenja të dukshme dëmtimi në skaf për shkak të nxehtësisë.
PO SIKUR…?
Pa paragjykuar ankesat e Kapitanerisë së Përgjithshme shqiptare të Porteve (nënkupto Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës) ndaj prokurorisë italiane të Barit, është rasti të vihet në dukje se kjo Kapitaneri / Administratë Detare / Ministri nuk ka njoftuar publikun shqiptar se një anije rreth 40-vjeçare, e ndërtuar në vitin 1975, u dogj pjesërisht, më 29 nëntor 2014, dhe se nuk do të udhëtonte më në linjën shqiptaro-italiane Bari-Durrës-Bari.
A mbajnë përgjegjësi për standardet e sigurisë autoritetet shqiptare për OK-in që u jepet trageteve në linjat me portet shqiptare? Kur zjarri bie në një traget si “Norman Atlantic”, i ndërtuar në Itali në vitin 2009 (i ri “fringo”, 5-6-vjeçar), merret me mend se ç’mund të ndodhë me një traget si “Ierapetra L.” (“plak”, 40-vjeçar).
Është vendi të përmendet se, nëse zjarri i rënë më 29 nëntor 2014 të ndodhte kur trageti “Ierapetra L.” përpunohej në portin e Durrësit, a mund të përfytyrohej se çfarë pasojash do të kishte? Nga ana lindore terminali i trageteve ndodhet 150 metra larg disa pallateve dhe një pike tregtimi karburantesh e gazi…
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





