DURRËS, 11 maj 2014 – “Ju tërheq vëmendjen për desertin “kasata”. Është ëmbëlsirë e ngrirë, unike e zonës së Durrësit. Kasatën mund të porositesh në kafene apo ta blesh në supermarket. Kjo ëmbëlsirë është kombinim i akullores me gjalpë, gjizë, çokollatë dhe reçel. Shumë e shijshme. Është ëmbëlsirë e veçantë e prodhuar në Shqipëri”, kështu shkruhet në blogun e huaj http://verainalbania.livejournal.com/30694.html, shoqëruar me foton e “kasatës artizanale “Bllaca”, e shërbyer në një nga lokalet luksoze në afërsi të Shkëmbit të Kavajës (shih foton).
Me afrimin e stinës së verës në forumet on-line po rikthehet një legjendë urbane “komuniste”, që identifikonte Durrësin edhe me kasatat, akulloret, parfetë, madje deri dhe limonadat “Bllaca”.
Një publicist, përkthyer dhe pedagog i njohur në Tiranë si Erion Kriston e ka marrë malli për kasatat, teksa shkruan në një nga statuset e tij në FB, ku ka disa komente (https://www.facebook.com/erionkristogjigandi/posts/2003938501216250.
Por janë edhe durrsakët denbabaden në emigrim që i merr malli për kasatat edhe limonadat “Bllaca”, të cilat nuk quheshin kështu në regjimin komunist, por që njerëzit e thjeshtë e dinin që në punishten shtetërore të ëmbëlsirave dhe në dyqan akulloresh ishte dora e familjes Bllaca.
Nuk e treguan që nuk e treguan sekretin e recetës së veçantë, pavarësisht se në rrethe të tjera, Tiranë e hotelet turistike prodhoheshin akullore, parfe, kasata sipas recetave të huaja.
Por ato nuk kishin shijen e veçantë të prodhimeve durrsake, me të cilat furnizoheshin Blloku në Tiranë dhe Plazh (flitej se gruaja e fuqishme e diktatorit Nexhmije Hoxha dy gjëra i pëlqente Durrësit: kasatat e Bllacëve, dhe frizurat e Osman Rexhës), ambasadat, hotelet luksoze “Dajti”, “Vollga”, “Adriatiku” etj.
Pas viteve 1990 u njoh në popull marka “Kasata artizanale Bllaca”, e cila shijohet jo vetëm në dy dyqane, njëri në Bulevardin Kryesor dhe tjetri diku përballë ndërtesës së gjykatë-prokurorisë (rruga “Aleksandër Goga”), por edhe në dyqanet ushqimore, supermarkete, restorantet luksoze.
Ajo ka të njëjtën shije si në vitet para 1990-ës, veçse e modernizuar me ngjyra dhe shije frutash.
Flitet se përgatitjen e akullores, parfeve, kasatave përdoret jo thjesht qumësht lope, por… (hamendjet janë të shumta).
Ato janë një kombinim i aromave orientale (turke), oksidentale (italiane) dhe vendase (shqiptare), prandaj janë të paimitueshme.
Faktin që tifozë të “Bllacës” janë edhe italianët, të cilët njihen në botë si krijues të kasatës (cassata ose cassata siciliana; në të vërtetë, apeninasit e kanë trashëguar nga arabët që sunduan në Siçili në shekujt IX-XI, prandaj edhe turqit e njohin mirë; në Stamboll e kanë marrë zanatin fillimisht Bllacët e viteve 1930, që blenë në Itali centrifugë për akullore të markës së famshme Cattabriga).
Është interesante se Bllacët e sotëm nuk shpenzojnë për reklamë, pasi e dinë që më shumë se produkt ushqimor freskues, kasata artizanale është markë krenarie e Durrësit dhe Shqipërisë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





