Përtej ngjyrave dhe pompozitetit të ceremonive zyrtare, koncerteve, paradave, por edhe tam tam-eve të borive nëpër rrugët e qytetit, festat e nëntorit nuk kanë qenë aq të bukura për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.

Në markatën e fruta-perimeve në Durrës, paraditen e kësaj të enjte, kishte pak konsumatorë. Rënia e ndjeshme e fuqisë blerëse konfirmohet në kor nga tregtarët.

“Si mos më keq! Po rrimë në punë, sa për të thënë që jemi në punë. S’ka njerëz në radhë të parë, jo më të ketë blerës. Përpara tërmetit, në këtë orë nuk kaloje dot në markatë nga njerëzit. Tani shikoje, bosh…”,– thotë njëri prej tyre për mikrofonin e “DurrësLajm”.

“Shumë dobët. Njerëzit nuk kanë… Jo se nuk duan të blejnë, por s’kanë para. Çdo vit është më poshtë”,- thotë një tjetër tregtar.

“Ka pak blerje”,– shton një tjetër tregtar, ndërsa i justifikon blerësit e pakët me çmimet e larta.

Ndërsa një tjetër vlerëson si faktor kryesor të rënies së konsumit largimin e popullsisë jashtë vendit.

Për moshën e tretë, rritja e çmimeve të shportës, e ka vështirësuar së tepërmi jetesën. Megjithëse shumë nga produktet kanë çmime mesatare për këtë periudhë, qeset e pazarit të pensionistëve janë gjithnjë e më pak të mbushura.

“Çmimet janë shumë të larta. Brokoli 200 lekë, spinaqi 250 lekë, bishtajat 300 lekë”,– thotë një pensioniste, ndërsa po blinte disa domate që kushtonin 50 lekë.

“Me këto rroga që janë, ku blihen dot të gjitha. Jashtë mase dobët kanë qenë këto festa. Nuk ka pasur festa fare”,- thotë një konsumatore.

“Nuk i përballojnë dot pensionistët këto çmime. Patatja është 100 lekë. Unë 5000 lekë pension në muaj marr. Ç’a të bëj me 5000 lekë?”,– deklaron një i moshuar.

I njohur si fruti i ndaluar, molla ka nisur të kthehet vërtet e tillë.

“Edhe molla është kthyer në gjë qejfi”,- na thotë një tregtar mollësh, ndërsa shton se para se të blejnë fruta pensionistët apo kategoritë me të ardhura të pakta shpenzojnë për gjëra më bazike.

Largimi masiv i popullsisë aktive është një nga shkaqet kryesore të rënies së konsumit. Situata duket pesimiste edhe për dhjetorin, i njohur si muaji i festave të fundvitit. 

“Parashikoj vetëm dy ditë punë në dhjetor“,- thotë një tregtar.

“Këtu sa vjen e po bën më poshtë. Ky është realiteti. Pastaj për llafe të bukura është tjetër gjë…”,- thotë një tjetër tregtar.

E ndërsa edhe në markatë nuk mungojnë flamurët kuq e zi, atmosfera e festave duket shumë larg dhe e paefektshme.

M.B.