Pas Vlorës, edhe pronarët e mjeteve motorike lundruese në Durrës kanë protestuar mëngjesin e kësaj të hëne, para Drejtorisë së Kufirit & Migracionit.
Protesta vjen pas bllokimit të veprimtarisë së tyre, që pas ngjarjes tragjike në Himarë, ku një 7-vjeçare humbi jetën, pas goditjes nga një motoskaf.
Megjithëse e ushtrojnë këtë aktivitet konform rregullave dhe kanë paguar detyrimet ndaj shtetit, në kulmin e sezonit turistik ata nuk lejohen të punojnë. Pavarësisht se gjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë regjistruar as incidentin më të vogël, ata penalizohen dhe dëmi ekonomik është mjaft i madh.

Protestuesit kërkuan të takohen me drejtorin vendor të Kufirit dhe Migracionit për t’i shprehur nga afër shqetësimet e tyre dhe për t’u njohur zyrtarisht me arsyen e ndalimit të ushtrimit të aktivitetit, sepse deri tani nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare, por vetëm një urdhër verbal
Pas ngjarjes tragjike në Himarë, Policia Kufitare intensifikoi kontrollet në të gjitha vendbazimet e mjeteve motorike ujore për dokumentacionin dhe respektimin e distancave të sigurisë.
M.B.





