· Anëtarët e “Rrjetit Miku i Monumentit”, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier pastrojnë dhe lyejnë me gëlqere shtyllat e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, të cilat ndodhen në mjedisin e monumentit, por që nuk janë pjesë e tij
DURRËS, 15 dhjetor 2014 – Po jep fryte nisma e Mikut të Monumentit teksa nxënësit durrsakë po marrin në kujdestari edhe të tilla objekte si banjat / termat romakë, duke tërhequr bashkëmoshatarë nga qytete të tjera.
Drejtoria rajonale e kulturës kombëtare (DRKK) e Durrësit vlerëson shkollën 9-vjeçare “Marie Kaçulini” të qytetit të Durrësit, nxënësit e së cilës kanë “birësuar” banjat / termat romakë të Durrësit, një nga monumentet më të rëndësishme dhe më tërheqëse të antikitetit në Durrës.
Sipas DRKK-së, shkolla po tregon përgjegjshmëri kundrejt angazhimit që ka marrë publikisht për mbrojtjen dhe përkujdesjen e monumentit. Madje, në një album fotografik janë fiksuar, të dielën, anëtarët e “Rrjetit Miku i Monumentit”, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, duke pastruar dhe lyer me gëlqere shtyllat e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, të cilat ndodhen në mjedisin e monumentit, por që nuk janë pjesë e tij.
Ata kanë ftuar bashkëmoshatarë të tyre nga Elbasani dhe Librazhdi, për t’i njohur me monumentin që kanë birësuar dhe po punojnë me përkushtim që termat të kenë një paraqitje sa më të mirë dhe më të denjë, me këtë rast. Ky aksion ishte pjesë e projektit të parë, që fëmijët e shkollës “Marie Kaçulini” përfunduan me sukses.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





