Nxënësit e klasës së tretë të shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Kodra” në Durrës, kanë grumbulluar dhurata për bashkëmoshatarët e tyre në nevojë. Në fakt çdo fundvit, nxënësit e kësaj shkolle solidarizohen për të ndihmuar nxënës të tjerë të zonave të largëta, familjet e të cilëve nuk kanë shumë mundësi ekonomike. Këtë vit ata vendosën që dhuratat e tyre t’i dërgojnë në shkollën e fshatit Domen, dikur pjesë e komunës Kryevidh, tashmë pjesë e bashkisë Rrogozhinë.
Shkolla në këtë fshat përbëhet nga 13 nxënës gjithsej, së bashku me tre fëmijë të kopshtit. E organizuar me klasa kolektive, aty japin mësim 3 mësues. Nxënsit e klasës së tretë “Ibrahim Kodra” kishin grumbulluar dhurata të ndryshme për nxënësit e kësaj shkolle, ndërsa prindërit menduan që të grumbullojnë edhe disa ushqime.
Kaltrina Leka, nxënëse e shkollës “Ibrahim Kodra” ka qenë shumë e gëzuar për dhuratat që grumbulluan bashkë me shokët dhe shoqet e saj në Durrës. Të shoqëruar nga mësuesja e tyre Eda Katroshi ata kaluan disa momente me bashkëmoshatarët e tyre, iu dhanë dhuratat, biseduan dhe bënë foto.
Ishte një eksperiencë mjaft e bukur për këta nxënës, të cilët mësojnë në kushte shumë më të mira, krahasuar me shkollën me klasa kolektive në fshatin Domen. Tërmeti i 26 nëntorit i ka bërë të gjithë më të ndjeshëm, sidomos kolektivin e shkollës “Ibrahim Kodra”, aty ku studionte edhe Esiela Karanxhaj, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike së bashku me nënën dhe gjyshen e saj. Një solidaritet për t’u përgëzuar nga ana e këtyre nxnësve dhe mësuesve të tyre në prag të ndërrimit të viteve.





