185 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Met Hasa”, në zonën e Porto Romanos, nuk kanë mundur ta zhvillojnë sot procesin mësimor.
Prej muajsh, shkolla e tyre është në proces rikonstruksioni, por nuk ka qenë kjo arsyeja e mos frekuentimit të shkollës. Shkak është bërë mungesa e mjetit të transportit, që do t’i çonte nxënësit në shkollën pritëse “Neim Babameto”, në Spitallë.
Siç duket edhe në videon e mëposhtme, nxënësit ishin bërë gati për të nisur mbarë ditën e parë të shkollës, por kanë mbetur në rrugë.
Që nga muaji shkurt i këtij viti, kur ka nisur rikonstruksioni i kësaj shkolle me fondet e bashkisë, nxënësit kanë pasur në dispozicion mjetin e transportit, që i spostonte nga Porto – Romano drejt Spitallës dhe anasjelltas.
Por të premten, drejtori i shkollës është njoftuar nga ZVA se nuk do të kishte mjet transporti në dispozicion të nxënësve për këtë vit shkollor, por ata mund të përdornin autobusin që përshkon këtë zonë.
Pra, përveç heqjes së mjetit të transportit, nxënësve dhe prindërve të tyre u kërkohet të paguajnë çdo ditë biletën vajtje-ardhje të ubanit.
Prindërit dhe nxënësit kanë paralajmëruar se do të zhvillojnë një protestë mesditën e së martës, duke bllokuar rrugën pranë shkollës së tyre.
Qëllimi i protestës sipas tyre është të tërheqë vëmendjen e autoriteteve për të garantuar transportin e sigurt dhe të rregullt për nxënësit dhe për të adresuar nevojat urgjente të komunitetit shkollor.





