DURRËS, 7 korrik 2014 –  Motorët e ujit po rrezikojnë jetën e pushuesve, alarmin e jep drejtori i OJQ-së Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve, z. Altin Goxhaj.

“Të mos harrojmë se zona e Durrësit nuk është si zona e jugut të Shqipërisë. Plazhet e gjirit të Durrësit janë të mbushura me familjarë, fëmijë jashtë kontrollit të prindërve, nuk ka as guida, as roja”, tërheq vëmendjen z. Altin Goxhaj, drejtori i OJQ-së Zyra e Mbrojtjes së Qytetarëve në një intervistë për gazetaren Enkelejdë Arapi.

Sipas veprimtarit të njohur të shoqërisë civile, “ekziston rrezik i jashtëzakonshëm për qytetarët nga motorët e ujit, të cilët qarkullojnë në det me shpejtësi marramendëse”.

Goxhaj thotë se vite më parë ka pasur raste aksidentesh, prandaj u vunë rregulla që i ndalonin motorët e ujit, të cilat sot kanë humbur fuqinë dhe çdokush bë si të dojë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/