Baritoni durrsak me famë botërore Gëzim Myshketa së bashku me disa personalitete ndërkombëtarë të artit të operës sjellin për herë të parë në Durrës, hapjen e një Masterclass-i për talentet e reja të muzikës lirike, kurs specializimi të nivelit të lartë vokal dhe skenik.

I titulluar “Durrës opera art of singing”, kjo iniciativë lindi si një ëndërr e baritonit Gëzim Myshketa, me dëshirën e madhe për të shndërruar qytetin e tij të lindjes në një qendër specializimi në Artin fisnik të operës për të rinjtë nga e gjithë bota.

“Kthehem me një projekt që e kam shumë për zemër, me një masterclass ndërkombëtar me të rinj nga Kina, Mauritania, Brazili, itlianë sidomos, që vijnë dhe studiojnë kanton italiane në Durrës. Kjo më bën shumë krenar, shumë të emocionuar. Jap një kontribut të vogël për qytetin për të vënë një gur në një kala të kulturës që shpresoj të arrijmë të kemi dhe ne arenën e Veronës, të vogël në Durrës. Do thonë njerëzit nuk ka krahasaim, por avash-avash bëhen gjërat.”

Zhvillimi i këtij Masteri të perfeksionimit të lartë artistik, ka një rëndësi të veçantë për Durrësin sepse e rreshton atë përbri qyteteve me traditë të vjetër operistike dhe e kthen qytetin tonë në një qendër specializimi për të rinjtë nga e gjithë bota.

“Dua t’i falënderoj studentët. Masteri është gratis, ata s’paguajnë asgjë falë disponibilitetit të këtyre njerëzve që paguhen jashtë mase jashtë shtetit, por këtu vijnë gratis, por pagujanë hotelin, biletat. Interesi është shumë i madh. Një studente ka ardhur nga Florida, si mos të jem i lumtur për këtë gjë”, tha Myshketa.

Kryebashkiakja Emiriana Sako e pranishme në konferencën e sotme për shtyp, shprehu mbështetjen e saj për zhvillimin e eventeve të ndryshme artistiko-kulturore që i japin Durrësit një gjallëri artistike jo vetëm në sezonin veror, por gjatë gjithë vitit.

“Për artdashësit e qytetit të Durrësit kishte ardhur momenti të ngjizej një punë në qytetin e Durrësit. Dua të falëndëroj Gëzimin, kjo ide erdhi gjatë takimeve që kemi bërë aktivitetin e datës 6 korrik, duke nisur si dëshirë e tij e hershme për të dhënë kontributin e tij në qytetin e Durrësit. Ne duam të rikthejmë në qytetin tonë këtë eksperiencë të madhe të fituar jashtë, tia japim qytetarëve të Durrësit, artistëve të rinj, pse jo dhe atyre ndërkombëtarë që kanë ardhur për t’u bërë pjesë e këtij masterclass-i”, u shpreh Sako.

Gëzim Myshketa dhe kolegët e tij, mjeshtra ndërkombëtarë të vokalit dhe muzikës, si Angelo Gabrielli nga Agjencia Ndërkombëtare e Operas – Itali, Elda Laro, Daniela Schillaci, Mirca Rosciani dhe Maestro Mario de Carlo po kontribuojnë me këtë master për të zhvilluar vlerat vokale dhe artistike të një brezi të rinj këngëtarësh lirikë që nesër do t’i shohim në skenat më të mëdha ndërkombëtare.

Ky masterclass do të pasohet nga koncerti recital i Gëzim Myshketës që do të interpretojë në Amfiteatrin e Durrësit mbrëmjen e 6 korrikut.