Durrës, 30 maj 2014 –  Policia e Durrësit ka ndërmarrë gjatë ditës së enjte një operacion të gjerë për të frenuar aktivitetin e paligjshëm të kambistëve në Sheshin “Pranvera” në Durrës dhe në sektorin Hekurudha në plazh.

Gjatë operacionit policor “Black Market (Tregu i zi)” janë shoqëruar për në komisariatin e policisë 6 kambistë, që ushtronin aktivitetin në Durrës dhe 3 të tjerë që punonin në zonën e plazhit.

Në kuadër të këtij operacioni, policia u ka sekuestruar kambistëve të ndaluar rreth 660 mijë lekë, 257 euro, 213 dollarë dhe 13 karta telefoni të kompanive të ndryshme.

Pas verifikimit të dokumentacionit, rezultoi se të 9 personat e ndaluar ishin të gjithë të papajisur me liçencë nga Banka e Shqipërisë dhe të paregjistruar pranë administratës tatimore për të ushtruar komform ligjit këtë aktivitet. 

Për të gjithë këta shtetas, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pasi akuzohen për veprën penale “Ushtrim pa liçensë i veprimtarisë financiare”.

Të ndaluarit nga Policia e Durrësit:

1- E.D., 59 vjeç, banues në Durrës.
2 – K.G.,  59 vjeç, banues në Durrës.
3 – I.B., 55 vjeç, banues në Durrës.
4 – N.V.,  57 vjeç,  banues në Durrës.
5 – L.K., 59 vjeç,  banues në Durrës.
6 – Xh.S., 49 vjeç, banues në Durrës.
7 – L.K., 41 vjeç, banues në Durrës.
8 – R.O., 55 vjeç, banues në Durrës.
9 – A.Sh., 57 vjeç,  banues në Durrës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/