Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Spring”, duke sekuestruar 3.5 kilogramë kanabis sativa dhe arrestuar tre persona të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë H. Ç, 34 vjeç, banues në Lushnjë, si dhe A. K, 43 vjeç, dhe G. K, 25 vjeç, banues në Durrës. Ata akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Arrestimi i tyre u bë pas ndalimit të automjetit të drejtuar nga H. Ç pranë mbikalimit të Shkozetit, ku policia gjeti në bagazh sasinë e kanabisit, të përpunuar dhe gati për shitje. Nga hetimet rezultoi se lënda narkotike ishte blerë nga A. K dhe G. K në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15.
Gjatë kontrollit të automjetit të dy shitësve, policia sekuestroi gjithashtu një dorezë hekuri.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.