Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë goditur një rast të ushtrimit të aktivitetit të lotarive të palejuara, (basteve sportive), në Sukth, Durrës, duke arrestuar në flagrancë shtetasit Ermal Sfinjari, 22 vjeç dhe Erandi Malo, 20 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Këta shtetas, janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në ambientin (PlayStation), në pronësi të shtetasit A. B., duke organizuar dhe ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lotarive të palejuara (baste sportive), nëpërmjet aparateve të tyre celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet e brendshme ku disponohej informacion se mund të zhvillohej aktivitet i kundraligjshëm i lojrave të fatit nëpërmjet makinetave, çipsave, ruletave e sende të tjera që shërbenin për zhvillimin e këtyre lojrave, nuk është konstatuar asnjë send i tillë, përveç aparatëve celular të sekuestruar, që shërbenin për zhvillimin e aktivitetit të basteve sportive.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





