·        “Martesa”, “divorce”, shitje-blerje, kështu rikthehen në harkun e më se 20 vjetëve histori të vjetra dhe të reja biznesi detar

DURRËS, 18 tetor 2014 –  Nëse para 21 vjetësh, polakët e portit të Gdanskut marrin 51 për qind të ish-kantierit detar, që ua shesin në vitin 2003 turqve të  Kurum- it, vjen puna që një nga ortakët e terminalit të kontejnerëve të Durrësit hyn në tratativa për të blerë një koncesion terminali kontejnerësh në portin e Gdanskut; kështu ripërtërihen lidhje të vjetra biznesi midis veriut të Evropës dhe Mesdheut.

Këshilli Drejtues i  PGA S.A. (Port of Gdansk Authority, Spolka Akcyjna) – Autoriteti Portual Gdansk, Shoqëri Aksionare) në Poloni njofton se në tenderin për blerjen e aksioneve të ndërmarrjes së logjistikës / përpunimit të mallrave janë paraqitur vetëm dy kompani: një polake, konsorciumi i përbërë nga  Weglokoks SA me seli në Katovicë dhe  PKP Cargo SA me seli në Varshavë; ofertuesi i dytë është  Mariner Capital Limited me seli në St Julian, Maltë.

Subjektet e tjera që iu përgjigjën ftesës publike për të negociuar blerjen e aksioneve të Portit të Gdansk Transportit Logjistikës SA, nuk paraqitën ofertat brenda afatit të caktuar.

Shtypi polak dhe ai i specializuar ndërkombëtar përmendin faktin se kompania e madhe e terminaleve të kontejnerëve  Mariner e Maltës zotëron  Baltic Container Terminal (BCT) në Riga, Letoni qysh nga viti 1996;  Terminal Intermodale Venezia (TIV) në Venecie, Itali, me një joint venture qysh në vitin 2002 dhe ka 48 për qind të aksioneve në  Durres Container Terminal (DCT) qysh nga viti 2011 (Durres Kurum Shipping ka 10 200 aksione ose 51 për qind të numrit gjithsej,  Global Liman Isletmeleri ka 200 aksione ose 1 për qind dhe  Mariner 9.600 aksione ose 48 për qind të paketës).

Është interesant fakti që sërish dalin në skenë polakët e Gdanskut që krijuan në vitin 1993 një shoqëri të përbashkët me shtetin shqiptar për ish-kantierin detar dhe që pas 10 vitesh, në prill 2003, aksionet ia shitën kompanisë turke  Durres Kurum Shipping; grupi turk e shkriu për skrap kantierin detar dhe në shkëmbim të sipërfaqes turke ku ishte kantieri, në vitin 2011 morën me vendim qeverie koncesionin e terminalit të kontejnerëve.

KRONOLOGJI E BIZNESIT SHQIPTAR-POLAK-TURK NË DURRËS

26 maj 1993. Krijohet  Kantieri Detar Durrës-Gdansk, sha; kohëzgjatja e shoqërisë: pa afat; kapitali prej 8 milionë USD, me objekt riparim, ndërtim dhe rindërtimi i njësive lundruese, eksporti i prodhimeve te saj, ndërtimi i konstruksioneve të çelikut, drurit dhe materialeve plastike, etj; aksionarë: Kantieri Detar Durrës me 49 për qind, Kantieri Detar i Riparimeve të Gdanskut “Josef Pilsudski” (Poloni) me 51 për qind.

22 dhjetor 1998. Asambleja e aksionarëve ndryshon kapitalin themeltar, i cili arrin vlerën 10 688 542, 20 USD.

25 prill 2003. Asambleja e aksionarëve vendos për transferimin e 59 për qind të kuotave që zotëron shoqëria polake  Stocznia Remontowa në favor të shoqërisë  Kurum Steel Co, ndryshimi i emrit: Durres Kurum Shipping sha.

15 korrik 2005. Asambleja e aksionarëve vendos për transferimin e paketës së aksioneve prej 15 440 aksionesh me vlerë 160 570 750 lekësh tek ortaku  Kurum Steel Co; pas kësaj aksionarë të shoqërisë janë:  Kurum Steel Co me 71 800 aksione ose 64.68  për qind të aksioneve dhe  Aksionari Shtet me 39 000 aksione ose 35.32 për qind  te aksioneve.

11 tetor 2007. Asambleja e aksionarëve Asambleja e aksionarëve vendos për ndryshimin e statutit të shoqërisë dhe konkretisht në shtimin e objektit të veprimtarisë; nga veprimtari transporti ndryshon në veprimtari transporti detar, tokësor dhe hekurudhor dhe shërbime logjistike për nevojat e veta dhe të palëve të tretë; statuti i shoqërisë dhe kontrata e shoqërisë nga kryerja e shërbimeve industriale ndryshon në kryerja e shërbimeve industriale për nevojat e veta dhe të palëve të treta; statuti i shoqërisë dhe kontrata e shoqërisë nga veprimtari turistike hoteliere për punonjësit e shoqërisë ndryshon në veprimtari turistike-hoteliere për punonjësit e shoqërisë dhe për palët e treta; shtesë në statutin dhe në kontratë: shoqëria bën joint-venture, Partneritet Publik-Privat dhe Partneritet Privat-Privat në lidhje me shërbimet plotësuese dhe aktivitete portuale.

2 shkurt 2009. Shtohet ortaku  Kurum Holding;  numri i aksioneve 71 800,00; përqindja në kapital: 64,68 për qind; kontributi në para: 746 641.584,86; largohet ortaku  Kurum Steel Co.

17 gusht 2009. Largohet ortaku  Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;  ndryshojnë të dhënat për  Kurum Holding: kontributi në para ishte 746 641 584,86 dhe u bë 1 154 362 376,10; përqindja në kapital ishte 64,68 për qind dhe u bë 100 për qind.

28 maj 2010. Agjenci detare dhe spedicionere.

13 maj 2011. Vendim për miratimin e statutit të ndryshuar; agjenci detare dhe spedicionere; agjenci doganore; magazinë doganore; aktivitet i ngarkim-shkarkimit të anijeve; terminal kontejnerësh.

2012. Kompania malteze  Mariner blen 48 për qind të aksioneve të  Kurum Shipping në terminalin e kontejnerëve në port (Durres Container Terminal – DCT.

Shtator 2014 – Ortaku MarinerDurres Container Terminalhyn të tender për të blerë terminalin e ngarkesave në portin polak të Gdanskut.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/