·       Vetëm në periudhën 1-10 qershor 2015 janë ofruar për dhurim gjaku vullnetarisht mbi 400 qytetarë dhe kanë dhuruar gjak 310 persona

DURRËS, 11 qershor 2015 –  Çdo vit, më 14 qershor, kremtohet Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut. Kjo datë është ditë falënderimit për të gjithë dhuruesit vullnetarë të gjakut për atë çfarë ata dhurojnë, që, ndryshe nga shumë dhurata, shpëton jetë. Kjo ditë shërben gjithashtu për të ndërgjegjësuar komunitetin për nevojën për dhurime të rregullta, të sigurta, dhe të mjaftueshme për pacientët në nevojë. Në vitin 2015 motoja në të gjithë botën është: “Dhuro gjak, dhuro falas, dhuro shpesh!”.

Kryqi i Kuq Shqiptar po punuar me intensitet në të gjithë degët e tij për të përçuar mesazhin: “Faleminderit që më shpëtuat jetën!”. Janë të shumta institucionet që i janë bashkangjitur fushatës që po organizohet dhe të shumta janë seancat e dhurimit të organizuara në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ) dhe bankat e gjakut në rrethe. Vetëm në periudhën 1-10 qershor 2015 janë ofruar për dhurim gjaku vullnetarisht mbi 400 qytetarë dhe kanë dhuruar gjak 310 persona. Ndërkohë që janë të shumta institucionet që janë treguar të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre human në ditët në vazhdim.

Më 11 qershor 2015 kanë dhuruar gjak punonjës të drejtorisë rajonale të operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) Durrës, njoftoi Kryqi i Kuq Shqiptar, dega vendore. Më 10 qershor 2015, në mjediset e Këshillit të Qarkut Durrës u instalua banka e gjakut. Disa punonjës të administratës me në krye kreun e saj Alfred Mullaraj kanë dhuruar gjak. Drejtuesja e degës së Kryqit të Kuq Shqiptar, Mira Guza, ka falënderuar ata punonjës të këshillit të qarkut që shfaqën gatishmërinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/