Durrës, 28 qershor 2014 – Disa persona kanë gjetur një mënyrë krejt origjinale për të braktisur njerëzit e tyre më të afërt. Një mënyrë e tillë është shtrimi i familjarëve të moshuar në spitalin e Durrësit dhe braktisja e tyre në repartet e tij. Pacientja e parë është gruaja e Asllan Patriotit, ish-të përndjekurit politik që ndodhet në burg pasi akuzohet për mashtrim, Silvia Patrioti. 60-vjeçarja me kombësi rumune është shtruar në spital përpara një viti, pasi ka pësuar një trombozë dhe për të nuk interesohet më askush. 

Më e trishtueshme është historia e pacientes së dytë, Remzie Muçës, 74-vjeçares nga Fieri, e cila është sjellë në spitalin e Durrësit nga djali i saj për kurimin e një frakture. Por rezulton se ai e ka braktisur atë, pasi ka gati një vit që gruaja qëndron në spital në gjendje të përmirësuar. 

Nëndrejtori i spitalit të Durrësit, Genti Kavaja thote se hospitalizmi nuk mund të vazhdoje pafundësisht për asnjë pacient ndaj duhet gjetur një zgjidhje. Në këto kushte drejtuesit e spitalit apelojnë në drejtim të institucioneve sociale që të marrin nën kujdesin e tyre këto gra, raporton A1 Report.
 
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/