Tiranë, 7 korrik 2014 – Klodian Pajuni, ish drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Ministrinë e Kulturës në kohën e qeverisë Berisha është paditur penalisht së bashku me 4 zyrtarë të tjerë të administratës publike.
Pajuni, që ka mbajtur edhe postin e prefektit të qarkut Durrës, vite më parë është paditur sepse ka probleme me deklarimin e pasurisë.
"Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, paraqiti sot pranë organit të akuzës kallëzim penal ndaj 5 subjekteve deklarues, pasi nga verifikimet e kryera rezultoi të jenë në shkelje të nenit 257/a të Kodit Penal"- thuhet në njoftimin e ILDKP-së.
Bashkë me Pajunin janë paditur penalisht edhe Lavdim Qoshi, Drejtor i Shërbimit Pyjor, Miranda Bullati, Drejtoreshë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit; Eduart Hyka, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Genci Sinojmeri, Drejtor në Ministrinë e Shëndetësisë.





