Durrës, 28 maj 2014 – Mashtrimet me shitblerjet e tokave janë një fenomen mjaft i njohur në Shqipëri. Në jo pak raste figurojnë pronarë të një sipërfaqe toke apo apartamenti dy apo më shumë pronarë.
Të fundit që e kanë pësuar një fat të tillë të keq janë dy shtetas nga Tirana, të cilët kanë blerë në lagjen nr.14 në Durrës, një sipërfaqe të konsiderueshme toke, kanë bërë pagesën e plotë dhe në fund kur pretendonin të merrnin çertifikatën e pronësisë kanë zbuluar se ishin mashtruar prej vitesh, pasi në tokën në fjalë figuronin të tjerë pronarë.
Tratativat për blerjen e një trualli me sipërfaqe 42 mijë m2, dy shtetas nga Tirana, R.D., 54 vjeç dhe F.K., 52 vjeç i kanë nisur që në vitin 2009. Ata kishin kontaktuar me çiftin e bashkëshortëve R.B., 57 vjeç dhe M.B., 46 vjeçe, të cilët figuronin pronarë të kësaj sipërfaqe toke në zonën e Shkozetit.
Çifti nga Tirana i ka siguruar të dy blerësit se ata dispononin të gjithë dokumentacionin ligjor dhe mund të nisnin tratativat për shitblerjen e kësaj sipërfaqeje.
Nga viti 2009 e deri në vitin 2011, dy të interesuarit për blerjen e truallit prej 42 mijë m2 kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për të bërë të mundur kalimin e pronës nga dy bashkëshortët në emër të blerësve të rinj.
Në periudha të ndryshme kohore, ata u kanë likujduar bashkëshortëve këstet e parave për blerjen e tokës, ndërkohë që janë përpiluar edhe deklaratat e nevojshme noteriale për këtë shitblerje.
Po ndërsa kryenin këto veprime, 54 dhe 52 vjeçari i kanë kërkuar vazhdimisht çiftit që të niste procedurat për pajisjen me çertifikatë pronësie. Dy bashkëshortët i kanë siguruar blerësit se së shpejti do të pajiseshin me çertifikatën e pronësisë, po si gjithnjë këto procedura vononin për shkak të ngadalësisë me të cilën operon Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Ndërkohë që kanë pritur për shumë kohë daljen e çertifikatës së pronësisë, dy blerësit kanë nisur të dyshojnë se prapa kësaj çështjeje mund të fshihej ndonjë mashtrim, pasi bashkëshortët nxirrnin justifikime nga më të ndryshmet për mos daljen ende të çertifikatës.
Në këto kushte ata i janë drejtuar vetë Hipotekës për ta ndjekur nga afër këtë çështje. Zbulimi ka qenë tronditës për të dy blerësit. Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme figurojnë të tjerë pronarë të pajisur me çertifikatë pronësie për këtë sipërfaqe trualli.
Të ndodhur përpara një mashtrimi të tillë, dy shtetasit nga Tirana kanë denoncuar në policinë e Durrësit çiftin nga kryeqyteti. Për bashkëshortët 57 dhe 46 vjeç, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë pasi akuzohen për mashtrim.
Situata duket më e komplikuar për dy blerësit, të cilët shpenzuan një shumë të madhe parash për një sipërfaqe që nuk do ta kenë asnjëherë të tyren.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





