DURRËS, 6 shtator 2014 – Dhëndri që do ta bëjë ceremoninë e djegies së shamisë së beqarit në kalanë e Gjirokastrës të shtunën më 6 shtator2014 në mbrëmje, disa orë para dasmës, ka shkuar të punojë në Durrës.
Të shtunën para dite, më 6 shtator 2014, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj ka inspektuar punimet e ndërtimit në shkollën e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës, ndonëse, sikurse është bërë e ditur, në mbrëmje më 6 shtator 2014, do të bëjë dasmën në kalanë e Gjirokastrës.
Kjo shkollë do të ofrojë edhe diplomim në peshkim.
Sipas dhëndrit Veliaj, në vitin 2014 ka pasur rritje të regjistrimeve në shkollat e mesme profesionale, duke nënvizuar:
“Dua të informoj prindërit durrsakë se ka mbaruar histeria e universiteteve që nuk iu ofronin punë askujt. Sot kërkesat në zyrën e punës janë për arsim profesional, për njerëz që kanë mbaruar për hoteleri-turizëm, dizajn apo konfeksione, drejtime, të cilat i ofron shkolla Hysen Çela”.
Z. Veliaj u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë të mendohen nëse është më mirë të zgjedhin një arsim që u jep punë apo një shkollë që të jep një diplomë e të çon në papunësi, duke shtuar:
“Durrësi ka një potencial fantastik në fushën e hoteleri-turizmit. Cila më mirë sesa një shkollë hoteleri-turizmi mund të përgatisë të ardhmen e kësaj sipërmarrjeje në Durrës? Në Durrës ka një zhvillim edhe në fushën e konfeksioneve, për të cilën duhet pranuar vërejtja se ne mësojmë vetëm një segment të punës së fasonëve: qepjen. Është e rëndësishme që investitorëve t’u ofrojmë edhe pjesën logjistike, të dizajnit, stilizmit dhe inxhinierisë tekstile”.
Kreu i dikasterit që mbulon dhe arsimin profesional, ftoi investitorët vendas të bëhen pjesë e bordit të shkollës “Hysen Çela”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





