Nga një zonë në tjetrën, në Durrës dëmet e tërmetit të 26 nëntorit janë të pranishme ngado.

Të shkatërruara e krejtësisht të pabanueshme janë blloqe të tëra banimi në lagjet nr 15, 16, 17, si dhe zona e Shkozetit dhe plazhit.

Në lagjen nr. 14, në zonën e Nish Tullës, që përfshihet në njësinë administrative nr. 5, banorët e pallatit nr. 283 janë të shqetësuar, pasi demet e shkaktuara nga tërmeti në pjesën e brendshme të pallatit të tyre janë të mëdha.

Janë çarë muret anësore, deri dyshemetë dhe tavanet. Ka pasur thyerje të paretit të shkallëve dhe suvaja ka rënë në të gjitha ambientet e pallatit.

Ndërtesa, sipas banorëve dhe akt konstatimit të Institutit Teknik të Ndërtimit ka qenë e ndërtuar me tulla dhe pa brez sizmik. Është  ndërtuar nga punëtorë jo profesionistë, me kontribut vullnetar dhe përveç kësaj ka pasur edhe shtesa katesh.

Pallati është shpallur i pabanueshëm, deri në riparimin e dëmeve. Banoret kanë braktisur apartamentet dhe janë sistemuar në banesa me qira. Në listat e miratuara nga Këshilli Bashkiak rezultojnë përfitues të bonusit të qirasë, por nuk kanë marrë akoma lekët për të likujduar qiradhënësit e tyre.

Ndërkohë janë rritur, sipas tyre qiratë më shumë sesa bonusi që jep shteti. Ata thonë se nga 200 mijë lekë të vjetra që përfitojnë nga subvencionimi i qirasë, këto të fundit kanë shkuar edhe në lagjet periferike në kufirin 300-350 mijë lekë.

Në kushtet e braktisjes së banesave, ata ndjehen në vështirësi derisa t’u lëvrohen paratë e bonusit.

K.H.