Edicioni i dytë i Panairit të Punës dhe Karrierës mblodhi sot në fakultetin e Biznesit në UAMD me qindra studentë, të interesuar për t’u punësuar pranë kompanive private, por edhe institucioneve publike, pjesëmarrëse në të. Ky panair synon të shërbejë si pikëbashkimi për  bashkëpunimin midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, si dhe për të prezantuar mundësitë që ofron ky treg në Durrës dhe më gjerë.  

Shumë nga studentët plotësuan formularët përkatës pranë bizneseve, për t’iu nënshtruar më pas intervistave të punës dhe pse jo për t’u punësuar pranë kompanive.

Dekani i fakultetit të Biznesit, Shkëlqim Fortuzi, deklaroi se këtë vit interesimi i sipërmarrjes private ka qenë i madh dhe pritet të punësohen më shumë studentë sesa një vit më parë, kur lidhën kontrata pune më shumë se 200 të rinj.

Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri, panaire të tilla shërbejnë si urë lidhëse mes studentëve dhe bizneseve dhe njëkohësisht mund të kontribuojnë për frenimin e fenomenit të emigrimit masiv të të rinjve drejt BE-së.

Nga Panairi i Punës dhe Karrierës, kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, dha lajmin e mirë që brenda këtij viti do të shpërndahen 2500 kartat e para të studentit.

Interesi i dhjetëra bizneseve pjesëmarrëse në panair ishte shumë i madh për të zgjeruar stafin e tyre me punëmarrës të rinj.

M.B.