Durrës, 31 maj 2014 – Shkarkimi i papritur i drejtoreshës së drejtorisë arsimore në Tiranë Mimoza Kuqi ka shkaktuar “tërmet” në Durrës. Prej disa javësh në mjedise të ndryshme në Durrës është folur edhe për një sërë paudhësish që kanë ndodhur me arsimin në qarkun e qytetit bregdetar. Nuk janë vetëm emërimet e drejtuesve të rinj në shkolla që kanë lënë shije shumë të hidhur tek qytetarët që kërkuar dhe votuan ndryshimin me 23 qershor.
Të pakënaqurit janë shtuar së tepërmi edhe pse nuk janë mbushur ende gjashtë muaj nga koha kur në krye të DAR së Durrësit u emërua Lindita Muka. Në adresë të saj prej kohësh ka nisur të lakohet gjithnjë dhe më shumë çështja e emërimeve të dyshimta në vendet bosh, mbajtja e kontigjentit të implikuar në abuzime të rënda brenda drejtorisë arsimore, marrëveshjet e ndryshme për tekstet e programet, kalimi i detyruar i pagës së mësuesve dhe edukatoreve nga njëra bankë private në një tjetër në kundërshtim me ligjin dhe shumë të tjera të cilat pritet të dalin një nga në në dukje.
Të pakënaqur dhe me shumë vërejtje në adresë të mënyrës se si drejtoresha e arsimit të qarkut të Durrësit Lindita Muka po e drejton këtë institucion janë edhe stukturat politike dhe krerë të qeverisjes vendore. Muka realisht erdhi në krye të arsimit në mënyrë të papritur duke i shpëtuar “vigjelencës” së të interesuarve për të sjellë në atë post të besuar politik dhe më shumë se të besuar politik.
Por nga ana tjetër vet Muka gjatë kësaj kohe e ka pasur të pamundur të orientohet nisur edhe nga mungesa e përvojës duke i dhënë kohë dhe mundësi të shumta të pakënaqurve ta bëjnë objekt ankese, vërejtje dhe akuze. Pikërisht kjo e fundit e ka futur në shumë telashe sidomos në emërimet e bëra prej saj. Në drejtori arsimore të qarkut të Durrësit Lindita Muka pranoi të mbajë dhe të bashkëpunojë edhe me punonjës që janë bërë pjesë e shkeljet së rëndë të ligjit.
Ata e nxitën të kryejë edhe atë që u quajt reformë duke sjellë rrëmujë në shkolla. Disa shkolla u shpartalluan për shkak të interesave të rastit dhe orekseve të klaneve të ndryshme. Në fund të muajit mars dhe në fillim të muajit prill me urdhër të Mukës u transferuan nga një shkollë në tjetrën, nga e mesmja në nëntëvjeçare dhe nga nëntëvjeçarja në të mesme shumë mësues duke paralizuar procesin mësimor.
Lëvizjet, transferimet, emërimet në vende boshe, emërimet e drejtorëve dhe disa zëvendësdrejtorëve në pjesën më të madhe të rasteve janë bërë pa u mbështetur në asnjë akt, dispozitë, udhëzim dhe kontratë. Drejtoresha pati deklaruar se në të gjitha këto raste do të mbështetej tek organizimi konkurseve, ndërkohë që pikërisht këtë gjë nuk bëri, madje edhe shkeli rëndë.
Nisur nga sa diskutohet në qarqet elitare në Durrës Lindita Muka në cilësinë e drejtoreshës së arsimit aktualisht ka vetëm mbështetjen e prefektit Roland Xhelili i cili ka nisur një fushatë të dukshme për ta marrë në mbrojtje atë dhe vendimet e saj. Ndërkohë krejt ndryshe mendojnë kryetari i qarkut të Durrësit, strukturat politike të PS, kreu i PS për rrethin, kryetari i bashkisë, kryetarët e njësive vendore dhe pjesa dërmuese e qytetarëve që mbështetën ndryshimin.
Burime nga strukturat vendore dhe politike lokale bëjnë të ditur se pafundësi me ankesa i janë drejtuar ministres së Arsimit Lindita Nikolli dhe kryeministrit Edi Rama përmes sms dhe letrave. Përgjithësisht përmbajtja e letrave dhe sms është e njëjtë dhe që kanë të bëjnë me administrimin jo korrekt dhe shpesh herë të korruptuar të institucionit. Largimi nga detyra e drejtoreshës së arsimit për qytetin e Tiranës ka sjellë pasiguri edhe në Durrës.
Ka më shumë se tre javë që flitet se drejtoresha do të largohet nga puna. Ka qenë një përplasje e saj me një nga eksponentët kyç në Durrës që e ka përforcuar fjalën e përhapur në zëvendësimin e shpejtë të saj. Zënka mes tyre ndodhi ngase Muka në vend që të punësonte në një vend bosh në arsim një aplikuese me të gjitha kriteret, i dha vendimin dikuj tjetër pas të cilit qëndronte një biznes. Rasti qe ndër të shumtët për të cilat dyshohet. Tani që MAS ka nisur të lëvizë duke larguar drejtoreshën e Tiranës, në rradhët e drejtorisë arsimore të qarkut të Durrësit ka nisur të ndihet frika.
/gazeta “Bulevard”/





