11 shtator 2015 –   Një dorë në revani, tjetrën në bakllava, kështu Shqipëria po përfiton dukshëm nga norvegjezët dhe amerikanët në përgatitjen e hartave digjitale detare.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB) njoftoi para tri ditësh se, në bashkëpunim me  RPM Nautical Foundation  (organizatë jo-fitimprurëse amerikane kërkimore arkeologjike dhe arsimore, e përkushtuar në përparimin e arkeologjisë detare që përfshin rilevime në bregdet dhe gërmim në vendet ku janë mbytur anije të veçanta dhe porte), ka filluar punën për hartimin e hartave digjitale të fundit të detit në Shqipëri.

Ndonëse kemi të bëjmë me një projekt specifik shkencor amerikan, pas punës që ka bërë hidrografia e Marinës amerikane për hartat detare, gjithsesi ka dhe një projekt në zbatim me të njëjtin karakter, financuar nga qeveria norvegjeze. Në zbatim të projektit shqiptar-norvegjez ALNO-HIP (Albanian–Norwegian Hydrographic Information Project) për përmirësimin e shërbimit hidrografik në Shqipëri, një ekip norvegjez zhvilloi ditët e para të shtatorit 2015 një vizitë në komandën e Forcës Detare në Plepa të Durrësit. Projekti me një vlerë rreth 1.209.740 euro do zgjasë tre vite kalendarike dhe katër vite financiare. Ai ka për qëllim kryesor përmirësimin e sigurisë hidro-lundrimore në hapësirën detare të RSH, nëpërmjet përmbushjes së detyrimeve të konventës IMO-SOLAS. Gjithashtu projekti do bëjë të mundur aplikimin e teknologjive dhe metodave të reja për mbledhjen e të dhënave batimetrike të relievit të fundit të detit, menaxhimin e tyre dhe në bashkëpunim me Institutin Gjeografik Ushtarak shqiptar, realizimin e hartave të reja elektronike. Gjatë takimit u diskutuan detaje të projektit, sidomos ato për përgatitjen e hartave digjitale dhe përmirësimin e rrjetit të faro-fenerëve në Shqipëri. Pala shqiptare vlerësoi projektin ALNO-HIP, veçanërisht për pajisjen me anije hidrografike dhe punën studimore për hartat digjitale. Ekipi norvegjez vazhdon punën më palën shqiptare për zbatimin e projektit.

Megjithatë është luks të harxhohen fonde nga të huajt për të bërë të njëjtën gjë. Tirana zyrtare, me institucionet në varësi (AKB dhe Shërbimi Hidrografik) mund të kërkonte bashkërendim dhe të merrte rolin e ndërmjetësit midis OJF-së amerikane dhe Oslos.

/th. m. portali “DurresLajm”/