5 shtator 2015 –  Pasditen e së premtes, më 4 shtator 2015, në hollin e muzeut arkeologjik të Durrësit, u bë paraqitja e vëllimit poetik dygjuhësh (italisht e shqip) “Vulë uji / Marca d’aqua” të autorit 69-vjeçar arbëresh nga Sicilia Zef Kiaramonte (Chiaramonte). Libri, i botuar nga  Nuova Ipsa Editore, Palermo, është përgatitur nën patronazhin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Itali; ka një paraqitje të Prof. Italo Costante Fortino i Universitetit të Napolit, parathënie të poetes dhe studiueses së famshme Klara Kodra; kurse në fund të librit ka shënime nga Ibrahim Kadriu, Fabio Ruso, Alisa Velaj. Në kopertinë është tabloja e piktorit e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore nga Kosova Adem Kastrati (1933-200) “Oda e burrave” (tempera në kanavacë).

Veprimtaria, ku merrnin pjesë letrarë dhe intelektualë vendas, shtetas italianë me banim në Durrës, klerikë, u moderua nga violinistja e njohur Nevila Kalaja dhe poetja vlonjate dhe pedagoge në katedrën e letërsisë shqipe të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës Alisa Velaj. Folën dhe lexuan poezi të librit Alisa Velaj dhe studentja e UAMD Xhuljana Aliaj, si dhe krijuesi Nikolla Spathari. Autori Kiaramonte, me një shqipe të kulluar standarde, iu përgjigj pyetjeve dhe bëri një përmbledhje të rrugës së tij si studiues i Evropës Lindore në seminare ndërkombëtare, albanolog, mësimdhënës dhe bibliotekonom në Kosovë dhe Palermo. U interpretuan këngë popullore shqiptare nga pedagogët e shkollës së mesme muzikore “Jan Kukuzeli” Ilsid Çullhaj (soprano) dhe Besmir Guma (kitarë). Këngët u shoqëruan në kor nga disa të pranishëm dhe autori.

/th. m. portali DurresLajm/