· E re / Projekti pilot për recetën elektronike që zbatohet fillimisht në qytetin bregdetar” do të rritet transparenca dhe cilësia e shërbimit për pacientët
DURRËS, 30 maj 2015 – “Shëndetësia elektronike, nga vizion në realitet”, ishte tema e takimi që u zhvillua të shtunën, më 30 maj 2015 në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në këtë veprimtari u paraqitën për herë të parë sistemet dhe platformat e shëndetësisë elektronike. Drejtori i FSDKSH-së (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) Astrit Beci paraqiti projektin më të ri, që do të zbatohet fillimisht në Durrës si projekt pilot – recetën elektronike. Kjo e fundit do të rrisë transparencën dhe cilësinë e shërbimit për pacientët. Po ashtu, FSDKSH-ja prezantoi edhe sistemin “Karta e Shëndetit” dhe platformën “e-Barna”.
Në takim morën pjesë Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, kryetari i bashkisë Vangjush Dako, zëvendëskryetarja e Komisionit të përhershëm parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë Klodjana Spahiu etj.
Ministrja Harito deklaroi se ky proces inovativ teknologjik për shpërndarjen e kartave të shëndetësisë është kryefjala e punës sonë të tanishme dhe do të njihet si një nga arritjet më të mëdha të mjekësisë që do të bëjë futjen në sistem të farmacive në rrjetin elektronik. Ministrja e Inovacionit theksoi se në skemën ekonomike të deritanishme ka pasur shumë abuzime dhe që do të ishte e pamundur të zbuloheshin nëse nuk do të përdoreshin metodat moderne te informacionit. Harito tha se tashmë do të eliminohen zvarritjet e pacientëve për të kërkuar në 10 zyra 10 dokumente të ndryshme, pasi do t’i ketë ato të regjistruara tërësisht në sistemin elektronik shëndetësor.
Ministri Ilir Beqaj deklaroi se ky ndryshim është radikal në sistemin e sotëm të rimbursimeve dhe shpërndarjes, pasi edhe farmacitë nuk mund të abuzojnë më. Në Durrës, në këtë sistem elektronik, do të regjistrohen fillimisht rreth 80 farmaci. Sipas tij, tashmë duke u nisur nga checkup-i që bëhet për moshat 45 deri 65 vjeç se duke qenë në sistem do ta marrë ndihmën mjekësore si pacienti i Ishmit ashtu edhe ai i Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi m. b./