· Bashkia: Prej vitesh dy kapanonët janë përshtatur për tregtimin me shumicë të fruta-perimeve, duke ua dhënë në gëzim të përkohshëm subjekteve, kundrejt kontratave të qirasë
DURRËS, 19 maj 2015 – Më 18 maj 2015, këshilli bashkiak i Durrësit miratoi privatizimin e dy objekteve të ish-parkut të eksportit, pronë e bashkisë, duke i dhënë fund kështu një odiseje të gjatë. Për të shmangur çdo spekulim të mundshëm, duhet thënë se privatizimin nuk e bën njësia e qeverisjes vendore, por dokumentacioni tekniko-ligjor i dërgohet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes për zhvillimin e procedurave.
Pasuria e ish-parkut të mallrave të eksportit ka nr. 7/243, ndodhet në zonën kadastrale 8515, me indeks harte DR-E-13 me një sipërfaqe 2 775 metra katrorw, që përfshin një kapanon me sipërfaqe ndërtimi 924.9 metra katrorë (nr. 186 të listës së pronave) dhe kapanon me sipërfaqe ndërtimi 1 138.3 metra katrorë, (nr. 187 të listës përfundimtare të pronave), të cilat me VKM nr. 536, datë 01.05.2008 i kanë kaluar në pronësi bashkisë Durrës.
Histori e shkurtër se si erdhi kjo ndërmarrje në pronësi të Bashkisë
Sipas Anila Myderrizit (sektori i pronave publike dhe menaxhimit të aseteve në bashki), referuar ligjit nr. 7926/1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, në atë periudhë u ndërmorën hapa për shndërrimin e kësaj ndërmarrjeje shtetërore në një nga llojet e shoqërive tregtare. Meqenëse një pjesë e aseteve të ndërmarrjes “parku i mallrave të eksportit” nuk u arrit të privatizohet, Këshilli i Ministrave me Vendim nr. 8, datë 13.01.2000 “Për kalimin e së drejtës së përfaqësuesit të pronarit për disa objekte pronë publike, organeve të qeverisjes vendore”, i ndryshuar, vendosi që këto asete, tashmë të paprivatizuara, t’ia kalojë me të drejtën e përfaqësuesit të pronarit bashkisë Durrës, ndërsa me VKM nr. 536, datë 01.05.2008 “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave publike të shtetit që kalojnë në pronësi ose përdorim të bashkisë Durrës, Qarku Durrës”, i ndryshuar, kjo ndërmarrje ka kaluar në pronësi të bashkisë Durrës, që do të thotë se këshilli bashkiak ka të drejtën e posedimit, disponimit e gëzimit për asetet e kësaj ndërmarrjeje.
Në dhjetor të vitit 2014, në adresë të bashkisë ka ardhur një shkresë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, nr. 351/3 prot., datë 10.12.2014, ku i kërkohet bashkisë Durrës “prononcim për privatizim” të objekteve të ndërtuar në pronë të ish-pronarëve dhe konkretisht në pasurinë e ndodhur në lagjen nr. 14 NISH-Tulla.
Sektori i pronave publike dhe menaxhimit të aseteve ka marrë konfirmimin nga ZVRPP-ja Durrës, e cila me shkresë nr. 1724/1 prot., datë 17.02.2015, ka konfirmuar se pasuria 7/243 është truall me gjendje juridike “shtet”dhe në volumin 12, faqe 234 ka shënimin “kanë të drejtë parablerjeje Ilirjan dhe Ardian Basholli”, ndërsa pasuria 7/205 është e llojit truall, gjendja juridike pronar Arben Ferhati.
Prej vitesh këta kapanonë janë përshtatur për tregtimin me shumicë të fruta-perimeve, duke ua dhënë në gëzim të përkohshëm subjekteve, kundrejt kontratave të qirasë.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/