DURRËS, 10 mars 2015 –  Të martën, më 10 mars 2015, Prefekti i Qarkut Rolant Xhelilaj zhvilloi një takim me përfaqësuesit e parlamentit të fëmijëve, të cilët janë gjithashtu presidentët e shkollave 9-vjeçare të qytetit të Durrësit. Pjesë e takimit ishte gjithashtu edhe kreu i drejtorisë i policisë së qarkut me gradën Drejtues Perlat Çullaj, drejtori i qendrës kulturore të fëmijëve “Met Hasa” Avni Çuni, përfaqësuesi i drejtorisë së shëndetit publik Shpëtim Leka, në emër të bashkisë drejtori i ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit Luan Zaza, ish-drejtori i QKF-së Naim Kërçuku etj.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi dhe bashkëpunimi për zgjidhjen e problemeve kryesore, që shqetësojnë komunitetin e nxënësve si mjediset shkollore e publike, aktorët që duhet të bashkëpunojnë me shkollën etj. Bënte përshtypje niveli i lartë i nxënësve-parlamentarë të shkollave “Bedrie Bebeziqi”, “Hasan Koçi”, “Vasil Ziu”, “Marie Kaçulini”, “Jusuf Puka”, “Hajdar Dushi” etj. Disa nga problemet që u parashtruan kishin të bënin me mirëmbajtjen, rikonstruktimin, shtesat e domosdoshme, pajisjen me palestra, vendosjen e sistemeve ngrohëse, sinjalistikën rrugore, mjediset argëtuese dhe sportive gjatë stinës verore, sigurinë në shkolla, ndihmën sociale për fëmijët në nevojë, shtrimin e mjediseve të gjelbra dhe parqeve në qytet, rregullimin e rrugëve të lagjeve dhe ndriçimin e tyre etj.

Në ndërhyrjet e tij miqësore dhe të ngrohta Prefekti Xhelilaj i konsideroi të drejta vërejtjet e tyre, sqaroi disa probleme për investimet e premtuara nga bashkia etj. Po ashtu fëmijëve u folën dhe dr. Leka, drejtues Çullaj, Kërçuku.

Në fund QKF-ja dhe Parlamenti Fëmijëve i dorëzuan Xhelilajt titullin “Miku i Fëmijëve”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi me foto Tristan Sherif/