Debat “soft” midis këshilltarëve blu Ndreu e Teliti dhe kryebashkiakut Dako për paketën fiskale. Demokristiani çon votën majtas. Nga "baba kombi" në "baba Durrësi", kështu ka ndodhur me një ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, që u zgjodh anëtar i këshillit bashkiak.

DURRËS, 3 dhjetor 2013 – “Tani ju keni epërsinë e votës, mund ta kaloni pa probleme paketën fiskale”, këshilltari i djathtë Armand Teliti ka shprehur kështu dëshpërimin e kuptueshëm për realitetin e ri në “parlamentin” e qytetit nr. 2 të Shqipërisë, ku çdo gjë kaloi butë-butë e pa replika të ashpra. Më 2 dhjetor 2013 Këshilli Bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen e radhës me një interesim të madh të medieve. Kryebashkiaku Vangjush Dako erdhi pak me vonesë, pikërisht kur do të diskutohej paketa fiskale e vitit 2014, që ishte pika e parë e rendit të ditës, por që u shqyrtua e fundit. Mbledhjen e hapi kryetari i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj. Me propozim të përfaqësuesve të PD-së u mbajt një minutë heshtje për të ndjerin Sokol Olldashi, bir i këtij qyteti.

Nga "baba kombi" në "baba Durrësi"

Nga "baba kombi" në "baba Durrësi", kështu ka ndodhur me një ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, që u zgjodh anëtar i këshillit bashkiak. Kryetarja e komisionit të mandateve, juristja e njohur Flutur Kona njoftoi se këshilltarja e PD-së Anilë Velja kishte dhënë dorëheqjen. Në bazë të listës, i takonte Pëllumb Berishës ta zëvendësonte, i cili, pas betimit, u miratua njëzëri nga të pranishmit. Berisha ka qenë deputet i PD-së, në vitin 2001-2005, me sistemin mazhoritar, në Katundin e Ri. Pas rikthimit në pushtet të PD-së në vitin 2005, Berisha ka pasur poste drejtuese relativisht të ulëta në Durrës, si te policia ndërtimore, patentat.

Ndal dhunës mbi baza gjinore

Para se të fillonte shqyrtimi i projektvendime, përfaqësues të qendrës për zhvillim komunitar “Sot për të ardhmen” Durrës paraqitën një video të përgatitur me bashkinë bregdetare në kuadër të fushatës kombëtare të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës mbi bazë gjinore (25 nëntor-10 dhjetor 2013). Slogani “Djemtë dhe burrat, pjesë e zgjidhjes. Tregoni se jeni kundër dhunës!” mbështetet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Fondi i OKB-së për t’i Dhënë Fund Dhunës Kundër Grave. Këshilltarëve iu shpërndanë fjongo dhe kartolina.

Vendime sociale

Nuk pati kundërshtime për projektvendimet mbi sistemimin e Aurorë Mentor Mergës dhe Xhesikë Taulant Jubës në institucion përkujdesi për fëmijët me aftësi të kufizuara. Po ashtu u miratua projektvendimi për dhënien në përdorim pa kundërshpërblim shoqatës jofitimprurëse të atyre që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin të një mjedisi me sipërfaqe 55,6 metra katrorë, nga kjo sipërfaqe ndërtimi 44,5 metra katrorë e ndodhur në një nga repartet e ish-uzinës së radio-televizorëve në pronësi të bashkisë, për një afat 5-vjeçar. U kalua dhe projektvendimi për shqyrtimin dhe miratimin e nxjerrjes jashtë përdorimit të inventarit të imët për vitin 2012 në qendrën ditore te të moshuarve.

Sheshi “Selanik”

Sikurse është bërë e njohur, në kuadër të binjakëzimit të qyteteve të Durrësit dhe Selanikut, më 4 tetor 2013, në sheshin përballë stacionit hekurudhor në Selanik, u vendos pllaka me emrin “Durrës-Shqipëri”, në një ceremoni ku mori pjesë dhe kryebashkiakët e të dy qyteteve. Prandaj, ishte e kuptueshme që në mbledhjen e 2 dhjetorit 2013 të këshillit bashkiak u bë votimi për miratimin dhe ratifikimin e protokollit të binjakëzimit midis qyteteve të Durrësit dhe Selanikut dhe për shqyrtimin dhe miratimin e emërtimit të sheshit “Selanik-Greqi” në një nga lulishtet e qytetit, Për këtë qëllim do të organizohet një ceremoni, ku dot marrin pjesë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako dhe ai i Selanikut Janis Butaris.

Ndryshimet në komisione

Nisur nga realiteti i ri në raportet shumicë-pakicë janë bërë ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të këshillit dhe në atë të komisionit të posaçëm për dhënien e licencave. Ndërkohë me propozim të këshilltarëve Ilija Ilija dhe Flutura Kona u shty për mbledhjen e ardhshme projektvendimi për miratimin e listës shtesë të pronave të paluajtshme publike që kërkohet të kalohet në pronësi të bashkisë.

Fisku, “rrjedh” majtas vota demokristiane

Përfaqësuesi i demokristianëve durrsakë Skënder Koni çoi në 24 numrin e këshilltarëve të majtë që miratuan paketën fiskale. “Tani ju keni epërsinë e votës, mund ta kaloni pa probleme paketën fiskale”, këshilltari i djathtë, ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Armand Teliti ka shprehur kështu dëshpërimin e kuptueshëm për realitetin e ri në “parlamentin” e qytetit nr. 2 të Shqipërisë, ku çdo gjë kaloi butë-butë e pa replika të ashpra. Në diskutimet hyrëse këshilltarët blu Eduart Ndreu dhe Armand Teliti përgëzuan administratën e bashkisë, që, sipas tyre, sollën në kohë për për herë të parë paketën fiskale. Ndreu tha se në të janë reflektuar dhe vërejtje të opozitës. Ndërkohë Ndreu shfaqi shqetësimin për rritjen e taksës deri në 30 për qind për biznesin e vogël prodhues, i cili ka vështirësitë e veta në kohë krize, kështu penalizohet biznesi i ndershëm. Ndreu ka akuzuar administratën e bashkisë për paaftësi në mbledhjen e taksave dhe kërkoi të rishikohet struktura e paketës fiskale. Kjo e fundit u kundërshtua edhe nga Armand Teliti, i cili tha se administrata e bashkisë po shkel ligjin për sa i përket rritjes së taksave vendore për biznesin prodhues. Për ish-kryetarin e këshillit të qarkut qeveria nuk po mban premtimet e bëra gjatë fushatës për heqjen e taksave për bizneset e vogla. Rritja e taksës e biznesit prodhues 30 për qind është në kundërshtim me ligjin, pasi tavani i taksës së vendosur nga qeveria nuk lejon rritjen mbi 10 për qind, tha Teliti duke vënë në dukje se u premtua gjatë fushatës nga Kryeministri Rama heqja e taksës së biznesit të vogël. Teliti tha se rritja e saj tregon se, jo vetëm nuk po mbahet premtimi, por po shkelet në mënyrë flagrante ligji. Kryetari i Bashkisë Vagjush Dako e argumentoi rritjen e taksës deri në 30 për qind për biznesin prodhues me faktin se deri tani janë lehtësuar nga taksat vendore. Dako tha se qeveria do të mbajë premtimin e heqjes së taksës në janar 2014.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/