Policia e Durrësit njofton se pas një raportimi të ardhur nga një qytetar në Portalin e Komisariatit Dixhital, i cili denonconte një shtetas që përdorte dinamit për gjueti të paligjshme në det, tek Kepi i Rodonit u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit Juljan Shetaj, 27 vjeç, banues në fshatin Shetaj, Durrës.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të mësipërm u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik tip kallashnikov, të cilën e mbante pa leje.
Gjithashtu iu sekuestrua edhe një mjet lundrues, varkë, pa Çertifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga Policia Kufitare dhe dokumentacion të rregullt.
Policia e Durrësit falenderon qytetarin në lidhje me denoncimin e bërë dhe fton çdo shtetas që konstaton një fenomen të paligjshëm të denoncojë duke garantuar marrjen e masave nga ana jonë dhe vënien para përgjegjësisë penale çdo shkelës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale" Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit" parashikuar në nenin 278 të Kodit Penal dhe neneve 23 dhe 29, pika 1 i ligjit 8663 dt.18.09.2000" Zhvendosja ose përdorimi i mjetit pa autorizim".





