Motivet e dobëta vazhdojnë të mbeten shkaku kryesor i konflikteve mes qytetarëve, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit.

Po ndërsa në rastet e mëparshme, sherri është mbyllur me lëndime të lehta, grindja e regjistruar një ditë më parë në zonën e plazhit është mbyllur me plagosjen e një 41-vjeçari, që vazhdon të jetë i shtruar në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Durrësit bën të ditur se konflikti në lagjen nr.13 ka ndodhur mes shtetasi E.Xh. 32 vjeç dhe O.I. vjeç 41, të dy banues në Durrës.

32-vjeçari E.Xh. i ka shkaktuar lëndime të shumta shtetasit O.I. dhe për të ka nisur procedimi penal, pasi akuzohet për “Plagosja e lehtë me dashje”.

Por konfliktet ditën e diel nuk janë mbyllur me kaq.

Një tjetër është regjistruar në lagjen nr.8 të Durrësit, që ka degjeneruar deri në përdorimin e grushteve.

Burime policore njoftojnë se “u referuan materialet në  Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasin F.K, vjeç 41, banues në Durrës, pasi dyshohet se, në lagjen nr. 8, ka goditur me grusht shtetasin A.D, vjeç 29 banues në Durrës”.

41-vjeçari akuzohet për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.